Tre mjekë të maternitetit të Pogradecit janë vënë nën hetim pas vdekjes së Marjana Bunajt, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, dhe humbi jetën gjatë transportit drejt Tiranës.
Sipas të dhënave paraprake, 36-vjeçarja është paraqitur në spital me dhimbje dhe kriza të forta abdominale, ku është ekzaminuar nga mjekët.
Në hetim janë përfshirë dy kirurgë dhe një mjek reanimator, ndaj të cilëve janë ngritur dyshime lidhur me mënyrën e trajtimit të pacientes dhe kohën e reagimit mjekësor.
Pas ekzaminimeve, gruaja është shtruar në reanimacion. Më pas, për shkak të gjendjes së saj, u vendos transportimi drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Por gjatë rrugës gjendja e 36-vjeçares u rëndua. Ambulanca u ndal në maternitetin e Elbasanit, por pavarësisht përpjekjeve, gruaja ndërroi jetë gjatë transportit.
Rasti është denoncuar në polici nga motra e viktimës, e cila ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ajo ka ngritur dyshime se një ndërhyrje më e shpejtë nga stafi mjekësor mund të kishte ndikuar në shpëtimin e motrës së saj.
Pas ngjarjes ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të trajtimit të pacientes, që nga momenti i paraqitjes në spital e deri në përfundimin e trajtimit.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banues në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit.
Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në maternitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë. Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.