Alarm për bombë në disa institucione të vendit

Policia e Shtetit njofton se mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.

“Përshëndetje. Ky është Shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpoërthejë pas dy orësh Pas kësaj,. Ju të pafe do të copëtoheni. Pastaj do t’ju vrasim. Allahu Akbar”, thuhet në e-mailin e siguruar nga mediat.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim.

Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.