Gjashtë punonjës të Aeroportit të Frankfurtit preken nga malaria, njëri humb jetën

Gjashtë punonjës në Aeroportin e Frankfurtit, në Gjermani, janë prekur nga malaria, ndërsa njëri prej tyre ka humbur jetën. Rastet janë konfirmuar nga operatori i aeroportit, Fraport, dhe Instituti Robert Koch, raportojnë mediat e huaja.

Katër raste u raportuan në mesin e korrikut, ndërsa numri i përgjithshëm është rritur që atëherë në gjashtë.

Pesë punonjësit e tjerë të prekur po marrin trajtim të specializuar mjekësor. Sipas të dhënave fillestare, infeksionet mund të jenë të lidhura me të ashtuquajturën “malaria e aeroportit”, një mënyrë jashtëzakonisht e rrallë e transmetimit të sëmundjes jashtë zonave ku malaria është e përhapur.

Dyshohet se një ose më shumë mushkonja të infektuara mund të kenë mbërritur në aeroport gjatë verës, të transportuara në hapësirat e një avioni ose në bagazhe nga një zonë ku malaria është e pranishme. Më pas, mushkonjat mund të kenë pickuar dhe infektuar punonjësit e aeroportit.

Instituti Robert Koch ka raportuar gjithashtu raste të tjera të malaries gjatë korrikut dhe gushtit në rajonin metropolitan Rhine-Main, të cilat mund të jenë të lidhura me punën në Aeroportin e Frankfurtit.