Katërmbëdhjetë të porsalindur kanë vdekur në një zjarr në një prej spitaleve më të mëdha të Pakistanit.
Zjarri shpërtheu në maternitetin e Institutit të Shkencave Mjekësore të Pakistanit (PIMS) në Islamabad. Ai nisi në një pajisje të kondicionimit të ajrit dhe u përhap me shpejtësi për shkak të lidhjeve të oksigjenit.
Në repart ndodheshin 15 të porsalindur në momentin e zjarrit dhe, sipas një zëdhënësi të spitalit, vetëm një prej tyre u shpëtua.
Një komision hetimor pritet të përgatisë një raport brenda 24 orëve, ndërsa kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shprehu “dhimbje të thellë dhe keqardhje të sinqertë” për ngjarjen.
Prindër të dëshpëruar janë mbledhur jashtë spitalit, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se trupat do t’i nënshtrohen testimit të ADN-së për identifikim.
Pakistani nuk është i panjohur per zjarret vdekjeprurëse, pasi në fillim të këtij viti, 67 persona humbën jetën në një zjarr në një qendër tregtare në Karaçi.