Rreth një milion fëmijë në Afganistan vuajnë nga kequshqyerja kërcënuese për jetën, në një krizë ushqimore dhe ushqyese që po përkeqësohet, paralajmëroi të martën Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Në të gjithë Afganistanin, 3.7 milionë fëmijë vuajnë nga dobësimi i rëndë trupor, që nënkupton kequshqyerje akute, bëri të ditur UNICEF-i.
Mes tyre janë “një milion fëmijë që vuajnë nga kequshqyerja akute e rëndë, kërcënuese për jetën”, tha përfaqësuesi i UNICEF-it në Afganistan, Tajudeen Oyewale.
“Nëse nuk marrin trajtim dhe nuk arrijmë të veprojmë shpejt, ai një milion fëmijë rrezikojnë të vdesin”, tha ai gjatë një informimi për mediat nga Kabuli.
Afganistani është përballur me periudha të përsëritura të urisë së përhapur në dekadat e fundit, ndërsa vendi ka kaluar luftë civile dhe kriza të tjera.
Pas rikthimit në pushtet të talebanëve, pas tërheqjes së forcave të udhëhequra nga SHBA-ja në vitin 2021, vendi u përball me një kolaps ekonomik.
Oyewale tha se gati 40% e fëmijëve të shtruar në spitale me kequshqyerje të rëndë dhe komplikacione mjekësore janë foshnja nën gjashtë muajsh.
Ndërkohë, fëmijët nën dy vjeç përbëjnë më shumë se 80% të rasteve të kequshqyerjes akute të rëndë në Afganistan.
“Kequshqyerja luan një rol qendror” në rritjen e numrit të vdekjeve te fëmijët shumë të vegjël, tha Oyewale.
Ai e përshkroi situatën si një “krizë ushqimore në përkeqësim” në të gjithë vendin, ku më shumë se gjysmë milioni fëmijë janë shtruar në spitale këtë vit për shkak të dobësimit të moderuar dhe të rëndë, si dhe rasteve me rrezik të lartë.
Në korrik të vitit 2025 u regjistruan rreth 6 mijë raste, ndërsa në korrik të këtij viti numri kaloi në 8 mijë, rreth një të tretën më shumë.
“Në disa zona të jugut të Afganistanit, disa spitale tani po trajtojnë tre ose katër fëmijë me kequshqyerje të rëndë për çdo shtrat të disponueshëm”, paralajmëroi ai.