Mashtruan 70-vjeçarin me inteligjencë artificiale dhe i morën 100 mijë euro, pranga dy të rinjve në Tiranë

Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi kanë mashtruar një të moshuar, duke i marrë 100 mijë euro.

Siç njoftojnë blutë e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Shuma”, u arrestuan shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.  

Këta shtetas, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe duke iu prezantuar një 70-vjeçari, përmes mesazheve, si të njohur të tij, e kanë mashtruar 70-vjeçarin që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh. 70 vjeçari, pasi nuk ka marrë shumën e dhënë në orën e premtuar, ka njoftuar menjëherë Policinë.

Operacioni vijon për kapjen e shtetasit R. H., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që ka shkuar te subjekti i 70-vjeçarit dhe ka marrë shumën e eurove, si dhe të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.