Princi Harry ka shprehur dëshirën për t’u pajtuar me të atin dhe për të kaluar më shumë kohë me monarkun britanik, i cili po trajtohet për një formë të paspecifikuar kanceri.
Princi Harry i Britanisë së Madhe dhe bashkëshortja e tij, Meghan, kanë vendosur të rikthehen në Mbretërinë e Bashkuar për një qëndrim më të gjatë duke nisur nga kjo vjeshtë, por nuk do t’u rikthehen detyrave si anëtarë aktivë të familjes mbretërore, sipas raportimeve.
Fëmijët e çiftit, Princi Archie, 7 vjeç, dhe Princesha Lilibet, 5 vjeç, tashmë janë regjistruar në shkolla në Mbretërinë e Bashkuar dhe do t’i nisin mësimet në shtator, sipas një personi të afërt me çiftin Sussex, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
Familja planifikon të jetojë në një rezidencë private, jo-mbretërore, jashtë Londrës. Megjithatë, çifti do të vazhdojë të mbajë shtëpinë e tyre në Montecito, Kaliforni, si edhe pronën e pushimeve në Portugali.
Media britanike The Daily Telegraph ishte e para që raportoi për këto plane. I pyetur nga Associated Press (AP) për të komentuar raportimet gjatë një aktiviteti me veteranë amerikanë në Uashington të mërkurën në mbrëmje, Harry u përgjigj shkurt: “Nuk kam asgjë për të thënë.”
Harry dhe Meghan hoqën dorë nga detyrat e tyre mbretërore dhe u zhvendosën në Kaliforni më shumë se gjashtë vjet më parë, ku nisën të siguronin të ardhura përmes kontratave fitimprurëse me Netflix dhe Spotify.
Edhe pse marrëdhëniet me pjesën tjetër të familjes mbretërore janë përkeqësuar që atëherë, Harry ka shprehur kohët e fundit interes për pajtim, në mënyrë që të mund të kalojë më shumë kohë me të atin, Mbretin Charles III, i cili po trajtohet për një formë të paspecifikuar kanceri.
Charles u informua të dielën për planet e çiftit. Harry dhe Meghan e vizituan për herë të fundit Mbretërinë e Bashkuar muajin e kaluar.
Pallati Buckingham ndjek politikën e moskomentimit të spekulimeve lidhur me anëtarët joaktivë të familjes mbretërore. Një përfaqësues i Harryt dhe Meghan nuk pranoi të komentonte.
Sipas një burimi pranë çiftit, Meghan do të vazhdojë të drejtojë kompaninë e saj As Ever nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa Harry do të ketë mundësi të angazhohet më shumë me organizatat bamirëse me bazë në Britani, me të cilat bashkëpunon.
Harry dhe Meghan kanë pasur një marrëdhënie të trazuar me familjen mbretërore që prej largimit të tyre drejt një rezidence luksoze në Montecito, një zonë ekskluzive e Kalifornisë Jugore.
Në një seri intervistash dhe në kujtimet e Harryt, “Spare”, çifti ka deklaruar se u largua nga Mbretëria e Bashkuar për t’i shpëtuar kufizimeve të jetës mbretërore. Ata kanë kritikuar gjithashtu zyrtarët e pallatit, duke i akuzuar për mungesë ndjeshmërie ndaj problemeve të Meghanit me shëndetin mendor. Çifti ka pretenduar gjithashtu se të paktën një anëtar i familjes mbretërore kishte shprehur pikëpamje raciste ndërsa Meghan ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të parë.
Këto tensione u përkeqësuan edhe më tej nga beteja e gjatë ligjore e Harryt kundër gazetave tabloide britanike, të cilat ai i akuzon se i kanë hakuar në mënyrë të paligjshme telefonat dhe i kanë cenuar privatësinë kur ishte më i ri.
Princi ka humbur një sërë çështjesh gjyqësore kundër mediave, përfshirë një padi ndaj botuesit të Daily Mail, e cila përfundoi muajin e kaluar.
Çështja e fundit gjyqësore e ka lënë Harryn përballë mundësisë së një fature prej miliona paundësh, pasi gjykata vendosi se ai dhe paditësit e tjerë në këtë çështje duhet të mbulojnë shpenzimet ligjore të botuesit. Associated Newspapers ka dorëzuar dokumente sipas të cilave kostot ligjore kanë arritur në 34.5 milionë paund, ose rreth 40.2 milionë euro.
Harry është përfshirë gjithashtu në një përplasje ligjore me qeverinë britanike, pasi një komitet qeveritar refuzoi të autorizonte mbrojtje policore për princin dhe familjen e tij gjatë qëndrimeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Princi argumenton se ai dhe familja e tij kanë nevojë për mbrojtje të armatosur policore, pasi janë të rrezikuar thjesht për shkak se janë pjesë e familjes mbretërore, pavarësisht nëse ushtrojnë apo jo detyra zyrtare si anëtarë aktivë të saj.
Pasi humbi vitin e kaluar betejën gjyqësore lidhur me çështjen e sigurisë, Harry tha se shpresonte të rindërtonte marrëdhëniet me familjen e tij.
“Do të doja shumë të pajtohesha me familjen time. Nuk ka më kuptim të vazhdojmë të luftojmë,” tha Harry. “Nuk e di edhe sa kohë i ka mbetur babait tim.”