Zjarret në vend/ 35 vatra në 24 orët e fundit, 5 ende aktive

Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë. Pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa tre të tjera janë nën kontroll.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 90 efektivë dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Dajt të Tiranës vijon puna për shuarjen e zjarrit, ndërsa sot operacioni mbështetet nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra në Priskë është nën kontroll.

Në Lufaj të Mirditës, zjarri vijon aktiv me intensitet të ulët dhe ekipet në terren po punojnë për shuarjen e tij. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat. Situata është përmirësuar edhe në sipërfaqet pyjore të Tërbunit, ndërsa vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive. Gjatë operacionit u evakuua një familje dhe ndërhyrja e forcave shmangu rrezikun për banesën.

Në Malësinë e Madhe, zjarri në Gjormin e Sipërm është riaktivizuar dhe po luftohet nga dy automjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë. Ndërkohë, në Tunjë të Re në Gramsh vijon puna për izolimin dhe shuarjen e flakëve, pa rrezik për zonat e banuara.

Sa i përket vatrave të tjera, Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë Helmes vijon puna e forcave operacionale. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.