Presidenti Donald Trump tha të hënën se Irani nuk do të pranojë marrëveshjen që ai e konsideron të nevojshme për t’i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara dhe se Teherani duhet të dorëzohet, ndërsa bisedimet mes dy vendeve mbeten në ngërç.
“Ata nuk do të arrijnë një marrëveshje të llojit që unë e konsideroj të nevojshme. Shikoni, ne jemi atje për një arsye: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara po kërkonin zgjatjen e një marrëveshjeje të përkohshme me Iranin, Trump u përgjigj: “Jo”.
Marrëveshja e përkohshme, e arritur në qershor, parashikonte “ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet”. Megjithatë, ajo u zhbë shpejt. Trump deklaroi më 7 korrik se marrëveshja ishte “përfunduar”, ndërsa një javë më vonë Ministria e Jashtme iraniane e shpalli atë “të pezulluar”.
Sipas këtij memorandumi mirëkuptimi, Irani dhe Shtetet e Bashkuara angazhoheshin të negocionin një marrëveshje përfundimtare, që do të përfshinte çështje më të gjera, përfshirë të ardhmen e programit bërthamor iranian, brenda një periudhe maksimale prej 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqimin e ndërsjellë. E hëna shënonte 60 ditë nga nënshkrimi i memorandumit.
Disa orë më herët, gjatë një interviste telefonike për Fox News, Trump i kishte bërë thirrje Iranit “të ngrinte flamurin e bardhë të dorëzimit”.
Ndërkohë, Omani dhe Irani kanë zhvilluar bisedime në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do të rikthente transportin tregtar detar në ngushticën e Hormuzit. Para se të nisnin sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit, kjo rrugë detare përshkonte rreth 20% të furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
“Nëse Omani na del përpara, do ta bombardojmë pa mëshirë”, i tha Trump Fox News.
Më vonë, kur u pyet në Zyrën Ovale nëse i kishte humbur durimi me Omanin, Trump u tha gazetarëve: “Jo. Nuk mendoj se janë sjellë shumë mirë, por do të merremi me ta shumë lehtë, ashtu siç bëjmë edhe me çështje të tjera.”
Mosmarrëveshja lidhur me kontrollin e ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ka shtuar presionin ndaj Trumpit për t’i dhënë fund një lufte që është jopopullore në vend, përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit. Këto zgjedhje do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit amerikan.
Trump i tha Fox News se zgjedhjet afatmesme nuk po ndikonin në strategjinë e tij ndaj Iranit.
“Zgjedhjet afatmesme nuk kanë asnjë lidhje me mënyrën se si mendoj”, tha ai.
Më herët të hënën, Trump kishte shkruar në platformën e tij Truth Social: “Qëllimi numër një është dhe do të jetë gjithmonë që Irani të mos ketë, në asnjë mënyrë, në asnjë formë apo rrethanë, një armë bërthamore”, duke përsëritur një nga arsyetimet që ai ka dhënë për luftën.