Rrëzohet nisma për ndalimin e rrjeteve sociale në Francë

Vetëm pak kohë më parë, Asambleja Kombëtare dhe Senati i Francës votuan pro kufizimit të përdorimit të rrjeteve sociale për të miturit. Tani Këshilli Kushtetues e rrëzoi këtë nismë, një goditje kjo edhe për presidentin Macron.

Këshilli Kushtetues i Francës e rrëzoi planin për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 16 vjeç. Sipas vendimit të Këshillit Kushtetues ndalimi ligjor përbën “një ndërhyrje të pajustifikuar dhe joproporcionale” në lirinë e shprehjes dhe të komunikimit të personave të prekur.

Asambleja Kombëtare dhe Senati francez kishin votuar në korrik, me një shumicë të madhe, në favor të këtij ligji. Presidenti Emmanuel Macron dëshironte që ligji të hynte në fuqi menjëherë pas pushimeve verore, më 1 shtator.

Macron deklaroi se ligji do të rishikohet

Për Macronin ky vendim përbën një humbje të rëndë politike. Ai e kishte mbështetur fuqishëm ndalimin e rrjeteve sociale dhe synonte që Franca të bëhej në këtë drejtim pararojë në Evropë.

Në reagimin e parë ndaj vendimit Presidenca franceze deklaroi se Macroni do t’i ngarkojë kryeministrit Sébastien Lecornu detyrën që ta rishikojë projektligjin. Macroni është i vendosur që reforma të hyjë në fuqi përpara pranverës së vitit 2027.

Në vendimin e tij Këshilli Kushtetues pranoi se ekziston “një detyrim kushtetues për mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve”. Megjithatë ai theksoi se ndalimi, i cili është shumë i gjerë, “mund të përfshijë shërbime komunikimi online, për të cilat nuk është vërtetuar se paraqesin rreziqe për shëndetin dhe sigurinë e të miturve”.

Sipas Këshillit Kushtetues francez ligji shkel gjithashtu të drejtën për respektimin e jetës private, pasi do të kërkonte në mënyrë të pashmangshme që çdo person, përfshirë edhe përdoruesit madhorë, të dëshmojë moshën përpara se të kishte akses në këto shërbime.

Sipas vlerësimit të Këshillit Kushtetues francez deri tani nuk ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për një verifikim të tillë të moshës.

Përmasat e ligjit

Ligji i planifikuar parashikonte që fëmijët të mos kishin akses në shërbime online si TikTok, Snapchat, X dhe Instagram, në video-platforma si YouTube, aplikacione mesazhesh si dhe disa video-lojëra online.

Gjithashtu parashikohej zgjerimi i ndalimit të përdorimit të telefonave celularë në shkolla. Për këtë dispozitë Këshilli Kushtetues nuk u shpreh në vendimin e tij.

Franca ishte vendi i parë në Bashkimin Evropian që miratoi një ndalim të tillë të rrjeteve sociale për të miturit. Edhe disa vende të tjera anëtare, ndër to Spanja, Greqia dhe Austria, po planifikojnë ndalime të rrjeteve sociale për të miturit deri në një moshë të caktuar.

Në Gjermani një komision ekspertësh i qeverisë federale paraqiti në fund të qershorit një paketë të gjerë masash për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në botën digjitale.

Kurse në botë janë tashmë në fuqi ndalime të rrjeteve sociale për fëmijët dhe të rinjtë, në Australi, Brazil, Indonezi dhe disa shtete të tjera. DW