Eurovision ndryshon rregullat: vendet në luftë mund të humbasin të drejtën për të organizuar festivalin

Organizatorët e European Broadcasting Union kanë ndryshuar rregullat e Eurovision Song Contest, duke përcaktuar se një shtet i përfshirë në konflikt të armatosur nuk do të ketë të drejtë të organizojë konkursin në vitin pasues, edhe nëse fiton.

Ndryshimi u miratua nga organi drejtues i Eurovisionit pas konsultimeve me transmetuesit pjesëmarrës, pas edicionit të vitit 2026 në Vjenë.

Sipas rregullave të reja, një vend fitues mund të humbasë të drejtën për të organizuar Eurovisionin edhe në rast se ndodhet në një “situatë të ndjeshme gjeopolitike” që ndikon në sigurinë, stabilitetin ose mbarëvajtjen e vendit apo të rajonit përreth.

Ndryshimi pritet të shihet kryesisht në kontekstin e pjesëmarrjes së Izraelit në konkurs, në një kohë kur vendi është përballur me kritika ndërkombëtare për veprimet e tij ushtarake në Gaza dhe Lindjen e Mesme.

Në nëntor, pas dështimit të përpjekjeve për pezullimin e Izraelit, pesë transmetues publikë njoftuan bojkotin e konkursit, mes tyre edhe Spanja dhe Irlanda.

Megjithatë, Izraeli, i përfaqësuar nga Noam Bettan me këngën “Michelle”, përfundoi në vendin e dytë. Ky ishte viti i dytë radhazi që Izraeli renditej në pozicionin e dytë.

Disa transmetues pjesëmarrës kanë shprehur privatisht shqetësime për sigurinë në rast se Izraeli do ta fitojë konkursin në të ardhmen dhe do t’i duhet ta organizojë atë në Jerusalem ose Tel Aviv.

Rregullorja e re prek gjithashtu Ukrainën, e cila është në luftë që prej pushtimit rus në vitin 2022.

Në vitin 2022, grupi ukrainas Kalush Orchestra fitoi Eurovisionin me një mbështetje të fuqishme simbolike nga publiku. Pas fitores, organizatorët kryen një vlerësim të plotë të situatës së sigurisë për të përcaktuar nëse konkursi i vitit 2023 mund të zhvillohej në Kiev.

Në fund, rreziqet e sigurisë u konsideruan shumë të mëdha dhe Mbretëria e Bashkuar mori përsipër organizimin e konkursit në Liverpool.

Rregullat e reja formalizojnë këtë proces. Sipas tyre, kur është e nevojshme, EBU mund të kërkojë një vlerësim të pavarur të sigurisë për rajonin e vendit fitues.

Pas këtij vlerësimi, EBU do të konsultohet me Reference Group për të përcaktuar nëse transmetuesi fitues është në gjendje të organizojë Eurovisionin në mënyrë të sigurt.

Nëse vendi fitues konsiderohet i paaftë për të organizuar konkursin, EBU do të përzgjedhë një transmetues alternativ.

Një ndryshim i rëndësishëm është se transmetuesi alternativ nuk do të jetë i detyruar ta organizojë konkursin në emër të një anëtari tjetër.

Në vitin 2023, BBC-ja britanike e organizoi Eurovisionin në bashkëpunim me transmetuesin ukrainas, duke përfshirë elementë të rëndësishëm të kulturës dhe trashëgimisë së Ukrainës në event.

Ndryshimet e miratuara përfshijnë edhe rregulla të reja për pjesëmarrësit dhe përdorimin e materialeve të regjistruara.

Mosha minimale për të marrë pjesë në Eurovision është rritur nga 16 në 18 vjeç.

Gjithashtu, janë qartësuar rregullat për përdorimin e vokaleve dhe materialeve të regjistruara në backing tracks.

Që prej vitit 1999, instrumentet muzikore live janë praktikisht të ndaluara, ndërsa vokali kryesor duhet të interpretohet drejtpërdrejt në skenë.

Nga edicioni i ardhshëm, backing track-u nuk duhet ta “ndihmojë në mënyrë të tepruar” këngëtarin apo këngëtarët. Për shembull, nuk do të lejohet përdorimi i një vokali të regjistruar që këndon melodinë kryesore për të forcuar ose mbështetur performancën live.

Sipas EBU-së, ky sqarim synon të ruajë integritetin e çdo performance dhe të garantojë që publiku të dëgjojë gjithmonë vokalin kryesor të interpretuar live.

Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, tha se ndryshimet synojnë t’u ofrojnë pjesëmarrësve më shumë qartësi, të mbrojnë artistët dhe të garantojnë një mjedis të sigurt e mikpritës, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e konkursit.

Edicioni i ardhshëm i Eurovisionit do të zhvillohet në Bullgari, pasi përfaqësuesja e saj Dara fitoi edicionin e vitit 2025 me këngën “Bangaranga”.

Ndërkohë, muajin e kaluar u bë e ditur se Kanadaja do të marrë pjesë për herë të parë në historinë e Eurovision Song Contest.