Vjedhja e 700 mijë € në Postën e Durrësit, Apeli lë në burg ish-drejtoreshën

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Elisabeta Matajn, ish-drejtoreshën e Postës së Durrësit, e cila akuzohet për përvetësimin e rreth 700 mijë euro, që duhej ti jepeshin pensionistëve dhe familjeve me ndihmë ekonomike.

Ndërkohë, për dy ish-vartëset e saj, Paola Danaj dhe Valbona Duni, është lënë në fuqi masa “arrest në shtëpi”.

Ndaj Matajt dhe ish-vartëseve të saj rëndojnë akuzat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj (mbi 700 mijë euro), e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Sipas Prokurorisë, Mataj është parë të frekuentojë kazinotë e kryeqytetit ku dhe dyshohet të jenë harxhuar paratë.