Shtetet e Bashkuara kanë revokuar më shumë se 175 mijë viza që nga rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Sipas autoriteteve amerikane, vizat janë anuluar për shkelje të kushteve të qëndrimit, përfshirje në vepra penale, nxitje të dhunës ndaj amerikanëve, mashtrime, abuzim me sistemin e emigracionit ose për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare.
Pjesa më e madhe e revokimeve lidhet me raste të evidentuara nga autoritetet ligjzbatuese. Ndër shkeljet kryesore janë sulmet, drejtimi i automjetit në gjendje të dehur, vjedhjet dhe veprat penale të lidhura me drogën. Viza janë revokuar gjithashtu për raste të agresionit seksual, abuzimit të fëmijëve, mashtrimit dhe përvetësimit të fondeve.
Departamenti i Shtetit tha se një ambasadë amerikane në Afrikën e Veriut anuloi gjithashtu më shumë se 100 viza të prindërve që kishin udhëtuar drejt SHBA-së për të lindur fëmijët, me synimin që ata të fitonin shtetësinë amerikane.
“Një vizë amerikane është privilegj, jo e drejtë”, deklaroi Departamenti i Shtetit.
Fushata e kontrolleve është zgjeruar edhe ndaj shtetasve evropianë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar kufizime vizash për të huaj që, sipas Uashingtonit, janë përfshirë në censurimin e amerikanëve.
Në dhjetor 2025, Rubio ndaloi hyrjen në SHBA të pesë evropianëve, mes tyre edhe ish-komisionerit evropian Thierry Breton, një nga hartuesit e Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (DSA). Vendimi shkaktoi reagime nga Franca, Gjermania, Spanja dhe Britania e Madhe.
Departamenti amerikan i Shtetit ka krijuar ndërkohë një qendër për monitorimin e vazhdueshëm të shtetasve të huaj në SHBA. Në gusht 2025, autoritetet njoftuan se do të rishikonin statusin e rreth 55 milionë personave që kanë viza amerikane të vlefshme.