Tërmeti i fuqishëm që goditi Kolumbinë, të paktën 164 viktima, vijojnë kërkimet nën rrënoja

Ekipet e emergjencave kanë vijuar për të dytën ditë operacionet e kërkim-shpëtimit në perëndim të Kolumbisë, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe njerëzore.

Bilanci paraprak ka shkuar në të paktën 164 viktima, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri mund të rritet, pasi ekipet e shpëtimit vijojnë të kërkojnë persona të bllokuar nën rrënoja.

Tërmeti me magnitudë 7.4 goditi herët të hënën rajonin e njohur për prodhimin e kafesë, duke shkaktuar shembjen e ndërtesave shumëkatëshe dhe dëmtime të rënda në disa qytete, përfshirë Pereira dhe Cali.

Në Manizales, një prej kullave të një katedraleje historike pësoi dëmtime të konsiderueshme.

Policia, ushtria, ekipet e emergjencave dhe dhjetëra vullnetarë kanë punuar gjatë gjithë natës, duke përdorur mjete të rënda, por edhe duke gërmuar me duar në zonat ku dyshohet se mund të ketë të mbijetuar.

Në Cali, qytet me rreth 2.2 milionë banorë, janë raportuar dhjetëra viktima dhe dëme të shumta në ndërtesa. Disa godina janë shembur plotësisht, ndërsa të tjera janë dëmtuar rëndë dhe janë në rrezik shembjeje.

Një spital i qytetit është prekur gjithashtu nga tërmeti. Disa kate të sipërme, përfshirë ambiente ku trajtoheshin fëmijë, janë shembur. Disa pacientë kanë mbetur të bllokuar, ndërsa rreth 600 persona të tjerë janë detyruar të marrin ndihmë mjekësore jashtë godinës, në një zonë të mbushur me rrënoja.

Një prej vullnetareve të angazhuara në operacionet e shpëtimit, Carmen Yasmin Garcia, tha se grupi i saj kishte arritur të nxirrte të gjallë shtatë persona nga një ndërtesë e shembur. Megjithatë, katër persona të tjerë dhe një qen mbeteshin ende të bllokuar.

“Ne ende kemi shpresë se qeni është gjallë dhe se do të arrijmë t’i nxjerrim këta njerëz”, tha ajo, duke bërë thirrje për më shumë vullnetarë dhe mjete për kërkimet.

Në Pereira, kryeqyteti i provincës Risaralda, autoritetet kanë raportuar 66 viktima.

Pamjet nga qyteti tregojnë lagje të tëra të shndërruara në rrënoja, me struktura betoni të shembura dhe hekurishte të deformuara.

Pamje të verifikuara nga Reuters tregojnë edhe momentin kur aeroporti i qytetit lëkundet fuqishëm gjatë tërmetit, ndërsa pjesë të mëdha të tavanit shemben dhe njerëzit përpiqen të gjejnë strehim.

Në provincën rurale Choco, më pranë epiqendrës së tërmetit, janë raportuar edhe 13 viktima.

Presidenti Abelardo De La Espriella, i cili mori detyrën vetëm pak ditë më parë, deklaroi se në Cali kishte 35 viktima dhe rreth 188 persona rezultonin të zhdukur.

Pas raportimeve për grabitje në zonat e prekura, autoritetet planifikuan dislokimin e rreth 1,000 pjesëtarëve të forcave të sigurisë në qytet.

Cali dhe Pereira vendosën gjithashtu kufizime të lëvizjes gjatë natës, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë.

Presidenti De La Espriella u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen përballë katastrofës, duke theksuar se në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje politike apo ideologjike.

Tërmeti ka rikthyer në kujtesë katastrofën e vitit 1999, kur një tjetër tërmet shkatërroi pjesë të rajonit të kafesë në Kolumbi dhe shkaktoi më shumë se 1,000 viktima.

Autoritetet vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa frika kryesore mbetet mundësia që numri i viktimave të rritet më tej, teksa ekipet po kontrollojnë ndërtesat e shembura dhe zonat më të goditura.