Shpresat për një marrëveshje që do të mundësonte rihapjen e ngushticës së Hormuzit duket se janë zbehur, pasi presidenti amerikan Donald Trump i është përgjigjur kushteve të Teheranit me një kërkesë të re: Irani të paguajë dëmshpërblime për viktimat e luftërave, sulmeve dhe protestave gjatë dekadave të fundit.
Trump tha të hënën se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë kompensim për dëmet dhe viktimat, duke përfshirë edhe ushtarë amerikanë të vrarë në rajon.
“Nëse ka dëme për t’u paguar, mendoj se Irani duhet t’i paguajë ato”, deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Kërkesa amerikane vjen pasi Irani kishte vendosur si kushte për një marrëveshje kompensimin, heqjen e sanksioneve dhe përfundimin e kërcënimeve ushtarake amerikane. Kushtet e Teheranit janë kryesisht të ngjashme me ato të një marrëveshjeje paraprake të arritur në qershor, e cila më pas dështoi.
Në një reagim në rrjetin social Truth Social, Trump kërkoi që Irani të mbajë përgjegjësi edhe për dëmet dhe viktimat në Liban, Siri, Jemen dhe Gaza.
Presidenti amerikan iu referua gjithashtu sulmit ndaj anijes ushtarake amerikane USS Cole, ku në vitin 2000 u vranë 17 marinarë amerikanë. Sulmi i është atribuar organizatës al-Qaeda dhe jo Iranit.
Trump përmendi gjithashtu protestat e zhvilluara në Iran gjatë fundit të vitit 2025 dhe vitit 2026, duke pretenduar se dhjetëra mijëra protestues janë vrarë. Shifrat e tij, megjithatë, janë dukshëm më të larta se ato të raportuara nga organizatat e të drejtave të njeriut.
Ndërkohë, Teherani ka deklaruar se negociatat me Omanin për një marrëveshje që përcakton rrugët e reja të lundrimit në ngushticën e Hormuzit po ecin përpara.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se bisedimet po zhvillohen në mënyrë “të qetë dhe konstruktive”. Sipas tij, palët kanë rënë dakord për hartën e rrugës së lundrimit, ndërsa mbeten për t’u zgjidhur disa çështje teknike.
Në diskutime janë përfshirë edhe shërbimet që lidhen me lundrimin e sigurt, mbrojtjen e mjedisit, shërbimet detare dhe luftën kundër krimit.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë kundërshtuar vazhdimisht çdo marrëveshje që do t’i mundësonte Iranit të vendoste tarifa për kalimin në ngushticë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Para nisjes së konfliktit, përmes saj kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në tregun global.
Bllokimi i saj ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës dhe presionet inflacioniste.
Pavarësisht përpjekjeve ushtarake amerikane, përfshirë një fushatë sulmesh në korrik, Uashingtoni nuk ka arritur të sigurojë kontrollin e plotë të kalimit në Hormuz. Irani ka vijuar të përdorë raketa dhe dronë kundër aleatëve të SHBA-së në rajon, ndërsa ka goditur edhe anije tregtare që kanë tentuar të kalojnë ngushticën pa lejen e Teheranit.
Në qershor, SHBA-ja dhe Irani kishin rënë dakord për një armëpushim, por Uashingtoni rivendosi një bllokadë ndaj transportit detar iranian në korrik. Teherani e konsideroi këtë veprim si shkelje të armëpushimit.
Përplasja për Hormuzin vijon ndërsa presioni ndaj Trump për t’i dhënë fund konfliktit po rritet edhe në SHBA, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve dhe zgjedhjeve afatmesme që do të mbahen në nëntor.