Kulisa dhe pazare me dyfishimin e pagave të gjyqtarëve kushtetues, Kuvendi anulon votimin

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla njoftoi sot Kuvendin se votimi i parashikuar për dyfishimin e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do shtyhet për seancën e radhës. Por duket se njoftimi procedural ka të bëjë me faktin se ky votim po kthehet në një pazar politik, përveç disa mungesave në Kuvend. 

Kreu i opozitës, Berisha, tha sot gjatë paradites se maxhoranca kërkon të blejë votat e deputetëve të PD zyrtare pasi një prej përfituesve në Gjykatë është bashkëjetuesja e Enkelejd Alibeaj. 

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD, Bardhi tha para pak minutash, se kjo rritje page është negociuar fshehtas mes anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Qeverisë.

Ndërkohë, pak ditë më parë Lulzim Basha deklaeoi se ai dhe deputetët që e mbështesin do të bashkojnë votat me mazhorancën për të miratuar këtë ligj.

Por pavarësisht votave të Bashës dhe disa demokratëve, mazhoranca e ka të pamundur të arrijë 84 votat që duhen për të kaluar këtë ligj. Të paktën për momentin, pasi disa deputetë të Partisë Socialiste nuk ndodhen në Shqipëri.

Kryeministri Rama është në SHBA në kuadër të Asamblesë së OKB-së, ndërkohë që vota e Arben Ahmetajt nuk mund të llogaritet pasi ky i fundit është arratisur për t’i shpëtuar arrestimit.

Por në mëdyshje për socialistët është edhe vota e Fatmir Xhafajt, i cili e ka shprehur hapur në Komisionet Parlamentare mendimin e tij kundër rritjes së pagave për gjyqtarët e Kushtetueses.

E gjendur në këtë situatë, e vetmja zgjidhje për mazhorancën është shtyrja e votimit derisa të gjithë deputetët e saj dhe demokratët e Bashës të jenë të pranishëm në seancën plenare, me synimin për të arritur 84 votat e nevojshme për miratimin e ligjit.