Ekstradohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë Sokol Hoxha, pas 3 dekadash arrati, ndërsa u arrestua pak muaj në parë në shtetin e Ohajos nga autoritetet amerikane.
Hoxha rezulton i dënuar me 25 vite burg për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 1997 në Patos, Fier. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u lokalizua nga autoritetet amerikane, të cilat bënë të mundur arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Hoxha rezulton i dënuar në mungesë edhe në Belgjikë për vrasjen e bashkëshortes së tij 19-vjeçare në Bruksel, në gusht të vitit 1997.
Sipas hetimeve të autoriteteve belge, ai kishte lidhur një martesë fiktive me viktimën dhe më pas e kishte shfrytëzuar për prostitucion, përpara se ta vriste.
Ngjarja ndodhi më 29 gusht 1997 në një lokal në Bruksel, pasi gruaja dyshohet se kishte kundërshtuar shfrytëzimin e saj.
Pas vrasjes në Belgjikë, Hoxha dyshohet se u largua drejt Britanisë së Madhe me dokumente të falsifikuara kosovare, ku siguroi leje qëndrimi. Më pas, në fillim të viteve 2000, ai u zhvendos në SHBA dhe jetoi me një identitet tjetër.