Pacolli paralajmëron arbitrazh ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës: Shteti po zgjedh përplasjen ligjore

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi nisjen e procedurave për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke paralajmëruar se kompania MABCO do ta ndjekë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar nëse vendimi konfirmohet.

Në një postim në rrjetet sociale, Pacolli shprehet se kompania nuk ka marrë ende asnjë njoftim zyrtar nga autoriteti kontraktor dhe se është informuar për zhvillimin vetëm përmes mediave. Sipas tij, një mënyrë e tillë komunikimi është e papranueshme për një projekt që ai e cilëson si investim strategjik me rëndësi kombëtare.

Ai pretendon se MABCO ka kërkuar vazhdimisht një zgjidhje institucionale për situatën, por akuzon disa institucione shtetërore për neglizhencë, mosveprim dhe shkelje të ligjit. Sipas Pacollit, nëse procedura për prishjen e kontratës vazhdon, përgjegjësia për arbitrazhin dhe kostot që mund të lindin prej tij do të bjerë mbi shtetin shqiptar.

Në reagimin e tij, Pacolli deklaron se kompania ka investuar mbi 320 milionë euro në projekt dhe se punimet kishin arritur në fazën përfundimtare, duke mbetur vetëm procesi i certifikimit të aeroportit. Ai shton se, pavarësisht një vendimi të Gjykatës së Lartë që, sipas tij, i riktheu MABCO-s të drejtën për administrimin e projektit, kompania është penguar për muaj të tërë të rikthehej në kantier.

Sipas Pacollit, gjatë kësaj periudhe janë dëmtuar dhe janë vjedhur pajisje të kompanisë, ndërsa ai e cilëson paradoks faktin që vonesat, të cilat ia atribuon pengesave institucionale, po përdoren tani si argument për ndërprerjen e kontratës.

Reagimi i plotë i Behgjet Pacolli

Sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurën për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Deri në këtë moment, MABCO Constructions SA nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Autoriteti Kontraktor. Për një investim strategjik me rëndësi kombëtare, është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet shtetërore.

Nëse ky lajm rezulton i vërtetë, atëherë shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar. MABCO ka bërë çdo përpjekje për ta shmangur këtë skenar dhe për të gjetur një zgjidhje institucionale. Fatkeqësisht, përballë papërgjegjshmërisë, heshtjes dhe veprimeve të paligjshme të disa përfaqësuesve shtetërorë, çdo mundësi për zgjidhje është mbyllur .

Ky arbitrazh do të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës, veprimeve të kundërligjshme dhe papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, e veprimeve të elementëve që, nën mbulesën e institucioneve, kanë vepruar jashtë ligjit, si dhe e dështimit të një sistemi drejtësie të ndikuar për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të investitorit.

Nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë faturën e neglizhencës, papërgjegjshmërisë dhe vendimeve të paligjshme të zyrtarëve që sot vazhdojnë të sillen me indiferencë, sepse ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi personale. Dëmin nuk e paguajnë ata, por qytetarët shqiptarë dhe biznesi.

MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore. Kompania kishte përfunduar pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej vetëm pak para fazës së certifikimit të aeroportit.

Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, grupe që veprojnë në mënyrë arbitrare dhe jashtë ligjit, me mbështetje ose tolerim institucional, penguan MABCO-n të hynte në kantier dhe të përfundonte projektin. Për muaj të tërë, në prani të Policisë së Shtetit, investitori u mbajt jashtë pronës së tij, ndërsa pajisje me vlerë u dëmtuan, u shkatërruan dhe një pjesë edhe u vodhën.

Paradoksi është i qartë: nga njëra anë institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër kërkojnë ta përdorin këtë pengesë si arsye për zgjidhjen e kontratës.

Kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë dhe me parimin universal të së drejtës se askush nuk mund të përfitojë nga sjellja e vet e paligjshme.

Nëse procedura konfirmohet, MABCO do të mbrojë të drejtat e saj me të gjitha mjetet juridike, përfshirë provat dhe faktet qe posedon kundër secilit qe ka shkaktuar këtë skandal të turpshëm e deri të ARBITRAZHI  tregtar ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë.

Ky nuk është një kërcënim. Është pasoja juridike e veprimeve joligjore dhe mosveprimeve të papërgjegjshme të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.