Prokuroria e Posaçme ka vendosur të zgjasë me tre muaj afatet e hetimit ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Vendimi pritet t’i komunikohet të mërkurën, teksa në të njëjtën ditë, në ambientet e SPAK janë thirrur për t’u paraqitur edhe Erald Elezi dhe Gentian Gjyli, të cilët do të merren në pyetje në kuadër të të njëjtit procedim penal.
Sipas burimeve, zgjatja e afateve është kërkuar për shkak të veprimeve hetimore që ende nuk kanë përfunduar. Prokurorët synojnë të administrojnë prova shtesë, të marrin deklarime dhe të plotësojnë dosjen përpara se të vendosin mbi hapat e mëtejshëm të procedimit.
Hetimi ndaj Ballukut lidhet me dyshime për shkelje në procedurat e prokurimit publik, ku SPAK po verifikon nëse gjatë zhvillimit të disa tenderëve janë konsumuar elementë të veprave penale që lidhen me shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe vepra të tjera që mund të dalin nga hetimet.
Dosja është fokusuar te disa kontrata publike me vlerë të lartë, mes tyre edhe procedura që lidhen me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe projekte të tjera infrastrukturore të realizuara gjatë kohës kur Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.