Zelensky udhëton drejt Uashingtonit për bisedime me Trumpin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të takohet të martën në Uashington me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të përpjekjeve të ripërtërira për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

“Presidenti Zelensky është planifikuar të takohet me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë të martën,” tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë për AFP, duke folur në kushte anonimiteti, të premten.

Zelensky deklaroi këtë javë se kishte biseduar me të dërguarin e Trumpit, Steve Witkoff, si edhe me dhëndrin e Presidentit amerikan, Jared Kushner, në kuadër të përpjekjeve për të ringjallur bisedimet e ndërprera që synojnë t’i japin fund luftës katërvjeçare.

Përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës kanë ngecur, pasi Uashingtoni e zhvendosi vëmendjen te konflikti me Iranin.

Trump dhe Zelensky kanë pasur një marrëdhënie të tensionuar, që nga përplasja e ashpër në Zyrën Ovale në shkurt të vitit 2025, deri te përmirësimi i marrëdhënieve gjatë muajve të fundit.

Këtë javë, presidenti ukrainas u takua edhe me influencuesen amerikane të krahut të djathtë dhe aleaten e Trumpit, Laura Loomer, një tjetër shenjë e përmirësimit të marrëdhënieve.

Komentatorja konservatore 33-vjeçare, e cila ndiqet nga miliona persona në rrjetet sociale, kohët e fundit ka zbutur qëndrimin e saj ndaj Ukrainës.

“Kjo është përditshmëria e çdo ukrainasi. Ndihem vërtet keq që e kam minimizuar vuajtjen e ukrainasve gjatë pesë viteve të fundit,” tha ajo, duke iu referuar përvojës së saj.

Të enjten, Trump ripublikoi një nga postimet e Loomer në rrjetet sociale lidhur me takimin e saj me Zelenskyn, duke e shoqëruar me mbishkrimin: “Shumë mirë!!”

Zelensky pritet të takohet me Trumpin në të njëjtën ditë kur në Uashington do të mbahet ceremonia përkujtimore për senatorin amerikan Lindsey Graham, një mbështetës i kahershëm i Ukrainës, i cili ndërroi jetë më herët këtë muaj në moshën 71-vjeçare.

Po atë ditë, Trump pritet të zhvillojë edhe një takim me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.