Kryeministri Edi Rama e pranoi se bulevardi i flamingove sfidoi qeverinë teksa protestat për largimin e tij kanë mbërritur në ditën e 55-të.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit të PS dhe qeverisë, Rama tha se tashmë nuk mjafton që e majta të qeverisë me projekte dhe investime.
“Mësimi i parë që dua të ndaj me ju është se faktet tona nuk mjaftojnë më! Njerëzit këtu nuk jetojnë më me kënaqësinë me të cilin ndërtonim, siç ndodhte dje. Ata sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt se sa mundësitë tona për t’iu përgjigjur. Ata e përjetojnë zhvillimin si një tension, mes asaj që shohin e dëgjojnë dhe asaj që kanë. Herë si burim pikëpyetjesh për çfarë po bëhet me vendin dhe herë si pasiguri për pjesën e tyre. Nuk mjafton më që të qeverisim të tashmen me investime, arritje e integrime, por duhet të qeverisim në harmoni me përvojën e përditshme. Bulevardi i Flamingove nuk duhet parë si protestë, por si pasqyrë që shoqëria na e vuri para dhe duke na sfiduar që të shohim vetveten, që të shohim nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë. Të cilën me doemos duhet ta kuptojmë ne të parët në të gjithë përmasat e saj. Unë vetë në pasqyrën e Bulevardit të Flamingove pashë mbylljen e një epoke, dhe fillimin e një tjetre”, tha Rama.
Rama pranoi se punonjës të administratës iu bashkuan protestës kundër tij, që vijon prej rreth dy muajsh.
“Ata që votuan për ne në qershor, dolën dhe u bashkuan me të tjerët edhe kur protesta drejtohej kundër meje sepse forca e saj përthithëse ishte më imponuese për ta sesa figura ime. Ata të administratës dolën edhe ata me të tjerët sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton me hijen e së vjetrës, ku njerëzit flakeshin nga puna e shtetit pse shkonin në një takim tonin në opozitë. “, tha ai.