Laert Haxhia kapet sërish me celular në burgun e Drenovës

Laert Haxhia, i dënuar me burgim të përjetshëm për disa nga ngjarjet më të rënda kriminale në vend, është konstatuar sërish me një telefon celular brenda burgut të Drenovës.

Sipas informacioneve, pajisja është zbuluar gjatë një kontrolli të zhvilluar nga autoritetet në institucionin e vuajtjes së dënimit. Rasti pritet të pasohet me verifikime për të sqaruar se si telefoni ka përfunduar në qelinë e të dënuarit dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

Ky nuk është rasti i parë kur në burgjet shqiptare të dënuar për vepra të rënda penale kapen në posedim të mjeteve të ndaluara, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi masat e sigurisë dhe kontrollit brenda burgjeve.

Laert Haxhia po vuan dënimin me burgim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre vrasja e Zamir Latifit dhe Jurgen Çelës në Lushnjë, si edhe akuza të tjera të lidhura me aktivitet kriminal.