Tragjedi gjatë festimeve të Kupës së Botës në Spanjë, humb jetën një 13-vjeçar

Festimet për fitoren e Spanjës në finalen e Kupës së Botës u kthyen në tragjedi në qytetin Ciudad Rodrigo, në provincën Salamanca, ku një 13-vjeçar humbi jetën dhe tre persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë pasi u shemb një shatërvan mbi të cilin ishin ngjitur tifozët.

Pas vërshëllimës së fundit të arbitrit dhe triumfit të Spanjës ndaj Argjentinës, të vulosur me golin e Ferran Torres, qindra mijëra tifozë dolën në rrugë për të festuar titullin. Në Ciudad Rodrigo, një nga pikat kryesore të grumbullimit ishte shatërvani Árbol Gordo.

Në kulmin e festimeve, pjesa e sipërme e shatërvanit u shemb, duke zënë poshtë disa persona që ndodheshin mbi të. Mes tyre ishte edhe 13-vjeçari, i cili u transportua në qendrën shëndetësore të Ciudad Rodrigos, ku më vonë ndërroi jetë.

Qendra e Emergjencave 112 e rajonit Castilla y León mori njoftimin e parë në orën 00:33, pasi disa telefonata raportuan shembjen e shatërvanit. Menjëherë në vendngjarje u dërguan policia lokale e Ciudad Rodrigos, Garda Civile e Salamankës, zjarrfikësit provincialë dhe ekipet e urgjencës mjekësore të Sacyl.

Sipas informacioneve paraprake, përveç viktimës, të paktën tre persona të tjerë mbetën të plagosur, njëri prej tyre me thyerje në këmbë.

Zona ku ndodhi aksidenti është rrethuar nga autoritetet dhe mbetet nën mbikëqyrje, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e shembjes së shatërvanit.