Irani njoftoi se ka ndërmarrë sulme të reja ndaj objekteve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe sulmin e parë të drejtpërdrejtë në Siri, pas natës së gjashtë radhazi të bombardimeve amerikane mbi objektiva ushtarake iraniane.
Armëpushimi i arritur muajin e kaluar është zëvendësuar nga sulme dhe kundërsulme të përditshme, duke paralizuar në masë të madhe trafikun detar në Ngushticën strategjike të Hormuzit dhe duke rritur shqetësimet e investitorëve për pasojat që konflikti, i nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në muajin shkurt, mund të ketë mbi ekonominë globale.
Ushtria amerikane bëri të ditur se ka përfunduar një tjetër valë sulmesh ndaj Iranit, me qëllim “dobësimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake iraniane”. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), objektivat përfshinin Ishullin Qeshm, zonat pranë Bandar Abbasit – ku ndodhet porti më i madh i Iranit – si dhe baza të rëndësishme detare dhe objekte të Gardës Revolucionare.
“Forcat amerikane, përfshirë avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake, goditën me municione precize dhjetëra objektiva ushtarake iraniane, përfshirë sisteme të mbikëqyrjes bregdetare, mbrojtjes ajrore, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe kapacitete detare”, thuhet në deklaratën e CENTCOM-it.
Nga ana tjetër, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim raportoi se një civil humbi jetën gjatë një sulmi amerikan në zonën Pasabandar, pranë qytetit portual Chabahar në juglindje të vendit.
Irani ka lëshuar raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake amerikane në vendet fqinje, përfshirë një bazë ajrore në Jordani. Në orët e para të së premtes, ushtria iraniane deklaroi se kishte goditur objekte amerikane edhe në Bahrein dhe Kuvajt.
Sipas një dëshmitari, në kryeqytetin e Katarit, Doha, u dëgjuan disa shpërthime, ndërsa Ministria e Brendshme e Katarit njoftoi se një fëmijë mbeti i plagosur nga copëzat e predhave.
Mediat iraniane raportuan gjithashtu se gjatë sulmeve të fundit amerikane u goditën pesë ura, stacioni hekurudhor në Bandar Khamir dhe aeroporti i Iranshahr-it në juglindje të Iranit.
Agjencia shtetërore IRNA bëri të ditur se shtatë persona u vranë si pasojë e sulmeve amerikane mbi urat në Bandar Khamir, një qytet-port në jug të vendit.
Ndërkohë, media shtetërore iraniane njoftoi se Garda Revolucionare ka sulmuar një qendër komanduese të forcave speciale amerikane në al-Tanf, Siri, si hakmarrje për vrasjen e ushtarëve iranianë në Iranshahr.
Ky konsiderohet sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj Sirisë, e cila deri më tani është përpjekur të mos përfshihet në konfliktin që ka përfshirë vendet fqinje.
Në Liban, luftëtarët e Hezbollahut të mbështetur nga Irani vazhdojnë përplasjet me forcat izraelite, ndërsa në Irak grupet e armatosura të mbështetura nga Teherani kanë ndërmarrë sulme me dronë dhe raketa ndaj objektivave amerikane.