Ligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” pritet t’i japë Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorëve të Bankës së Shqipërisë imunitet nga arrestimi.
Sipas nenit 72 të projektligjit të hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe të hedhur zyrtarisht për konsultim nga Ministria e Financave, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në ndonjë formë, as t’i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur ata kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi.
Për të mund të arrestuar apo për të kontrolluar banesën e zyrtarëve të mësipërm, prokurori i çështjes duhet të kërkojë menjëherë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.
Projektligji parashikon se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë vendim për autorizimin brenda dy javëve nga data kur i paraqitet çështja. Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk vendos brenda këtij afati kohor, kërkesa për autorizim do të konsiderohet e refuzuar.
Një mbrojtje e tillë ligjore për Guvernatorin nuk është e zakonshme në shumicën e legjislacioneve të Europës dhe Bashkimit Europian. Për shembull, në Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë, Britaninë e Madhe etj. Guvernatori i Bankës Qendrore mund të arrestohet pa kërkuar autorizimin e ndonjë institucioni tjetër kombëtar.
I vetmi imunitet që gëzojnë Guvernatorët lidhen me funksionet e tyre si anëtarë të Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane (për vendet anëtare të BE-së). Në këtë rast, prokuroria duhet të kërkojë autorizimin e Bankës Qendrore Europiane, por vetëm për akuza që lidhen me funksionet si anëtarë të Këshillit të ECB-së dhe jo për akuza që lidhen me veprime të sferës private, si, për shembull, akuzat për korrupsion.
Shqipëria ka një precedent me arrestimin e Guvernatorit në detyrë.
Në shtator 2014, Guvernatori, Ardian Fullani u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas skandalit të përvetësimit të 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit të Monedhës, në Bankën e Shqipërisë. Megjithatë, në përfundim të procesit gjyqësor ai u shpall i pafajshëm për akuzat e ngritura nga Prokuroria. Pas shpalljes së pafajësisë, Fullani fitoi në gjyq edhe dëmshpërblim financiar për shkarkimin e tij nga detyra.
Ndërkohë, në vitin 1993, një tjetër Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Ilir Hoti, u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, por arrestimi u bë pak muaj pas largimit nga posti.
Aktualisht, legjislacioni shqiptar njeh imunitet për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Për shumicën e këtyre funksionarëve, autorizimi për heqjen e imunitetit jepet nga Kuvendi. Përjashtim bën Presidenti, për të cilin vendimi i Parlamentit duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, për të cilin autorizimi duhet të jepet po nga ky institucion.
Projektligji i propozuar “Për Bankën e Shqipërisë” ia jep të drejtën për të autorizuar arrestimin e Guvernatorit Gjykatës Kushtetuese, duke e shmangur Kuvendin nga ky proces. /Monitor