SHBA-ja godet Iranin për natën e tretë radhazi, ndërsa Trump thotë se një marrëveshje mbetet “e mundur”

Forcat amerikane ndërmorën sulme ndaj Iranit në orët e para të së martës, duke shënuar natën e tretë radhazi të operacioneve ushtarake, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit vazhdon, pavarësisht deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se një marrëveshje “mbetet ende e mundur”.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi në platformën X se forcat e saj “goditën me sukses objektiva ushtarakë në të gjithë Iranin”, përfshirë Bushehrin, Chah Baharin, Jaskun, Konarakun, Abu Musan dhe Bandar Abbasin, në një operacion që zgjati rreth pesë orë.

Pak çaste pas njoftimit të ushtrisë për sulmet e reja, Trump i cilësoi ato si “një tjetër goditje madhore”.

“Po i godasim shumë fort dhe kjo do të vazhdojë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Po shkatërrojmë të gjitha kapacitetet e tyre sulmuese dhe kemi marrë nën kontroll ngushticën. Po rivendosim bllokadën”, deklaroi ai para gazetarëve në Zyrën Ovale.

Në kundërpërgjigje, Irani ndërmori sulme ndaj Bahreinit, si edhe ndaj dy cisternave të lidhura me Emiratet e Bashkuara Arabe në Ngushticën e Hormuzit.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se nga sulmi humbi jetën një marinar, ndërsa tetë të tjerë mbetën të plagosur.

Garda Revolucionare Iraniane mori përgjegjësinë për sulmin ndaj cisternave, duke deklaruar se anijet “kishin shpërfillur paralajmërimet e përsëritura”.

Po ashtu, Garda Revolucionare bëri të ditur se kishte kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj Bahreinit, pasi autoritetet e këtij shteti u kërkuan qytetarëve të strehoheshin menjëherë pas aktivizimit të sirenave të alarmit.

“Sulmet kishin në shënjestër disa depo për mbështetje ushtarake, një qendër komunikimi satelitor dhe ndërtesën e banimit të forcave amerikane në Bahrein”, citoi televizioni shtetëror iranian IRIB deklaratën e Gardës Revolucionare.

Irani: Marrëveshja është në krizë

Sulmet ndodhin në një kohë kur SHBA-ja dhe Irani po përpiqen të sigurojnë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, rrugë strategjike detare përmes së cilës, në kohë paqeje, kalonte rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës së papërpunuar dhe gazit natyror.

Trump la të kuptohet se administrata e tij synon të vendosë tarifa për anijet që kalojnë përmes ngushticës, ndonëse më parë kishte deklaruar të kundërtën.

Në një postim në Truth Social, ai tha se SHBA-ja do të njihej si “Mbrojtësja e Ngushticës së Hormuzit” dhe se do të vendoste një tarifë prej 20% për të gjithë transportin detar që kalon në këtë korridor.

“Po mbrojmë një nga rajonet më të pasura të botës. Po shpenzojmë para dhe është e drejtë që të kompensohemi për këtë mbrojtje”, u shpreh Trump.

Megjithatë, ai këmbënguli se një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit mbetet e mundur.

“Po, mendoj se një marrëveshje është e mundur. Sigurisht që po. Kishim një marrëveshje me ta dy ditë më parë, por më pas ata thanë: ‘Nuk mund ta bëjmë atë marrëveshje. Duhet ta negociojmë më tej'”, deklaroi presidenti amerikan.

Më herët të hënën, gjatë një interviste për moderatorin konservator të radios Hugh Hewitt, Trump tha se marrëveshja e arritur muajin e kaluar ishte “ndërtuar si një provë” për Iranin, duke shtuar se “kur ke të bësh me mashtrues, marrëveshjet nuk kanë shumë vlerë”.

“Ata nuk e respektuan provën”, tha ai.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në qershor, i cili shërbeu si bazë për negociatat dhe çoi në heqjen e bllokadës amerikane, “ndodhet në krizë”.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump njoftoi zyrtarisht Kongresin javën e kaluar për rifillimin e operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit, duke i dhënë Pentagonit edhe 60 ditë shtesë për të vepruar në rajon pa miratim të mëtejshëm nga Kongresi.