BE drejt kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se fëmijët duhet të kenë akses të kufizuar dhe gradual në rrjetet sociale, ndërsa ekspertët rekomanduan që fëmijët nën moshën 13 vjeç t’i përdorin këto platforma vetëm nën mbikëqyrjen e prindërve ose mësuesve.

Komisioni Europian po shqyrton vendosjen e rregullave të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, pas kërkesave të disa shteteve anëtare, si Greqia dhe Franca, për kufizime më të forta, të ngjashme me ato të miratuara në Australi.

Për të hartuar një politikë të bazuar në prova shkencore, Von der Leyen ngarkoi një panel ekspertësh, ku përfshiheshin mjekë, akademikë, përfaqësues të të rinjve dhe prindër. Raporti përfundimtar u dorëzua të martën.

“Ekziston tashmë një konsensus se duhet të ketë një moshë minimale për hyrjen e fëmijëve në rrjetet sociale”, tha Von der Leyen, duke theksuar nevojën për kufizime sipas moshës.

“Sot nuk shtrohet pyetja nëse fëmijët mund të kenë qasje në rrjetet sociale, por nëse dhe kur rrjetet sociale duhet të kenë qasje te fëmijët tanë,” u shpreh ajo.

Komisioni Europian pritet të paraqesë një propozim ligjor gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, ndërsa detajet e para të masave pritet të bëhen publike në shtator.

Sipas rekomandimeve të panelit të ekspertëve:

  • Fëmijët deri në 3 vjeç nuk duhet të përdorin fare ekrane.
  • Fëmijët nga 3 deri në 12 vjeç duhet të përdorin pajisjet dhe rrjetet sociale të përshtatshme për moshën vetëm nën mbikëqyrjen e prindërve ose mësuesve.
  • Adoleshentët nga 13 deri në 18 vjeç duhet të kenë akses gradual në platformat dixhitale që ofrojnë masa të forta sigurie.

Shumica e platformave kryesore, përfshirë TikTok, Facebook dhe Instagram, lejojnë aktualisht regjistrimin e përdoruesve nga mosha 13 vjeç.

Von der Leyen theksoi se platformat duhet të provojnë se shërbimet e tyre nuk dëmtojnë fëmijët. “Në Europë, kush zhvillon një produkt është përgjegjës edhe për sigurinë e tij”, tha ajo.

Ekspertët nuk rekomanduan një ndalim të plotë të rrjeteve sociale për fëmijët, pasi vlerësuan se modeli australian hasi vështirësi, me shumë të mitur që gjetën mënyra për të anashkaluar kufizimet.

Në vend të kësaj, ata propozojnë që platformat të kufizojnë ose të heqin funksione që nxisin varësinë, si luajtja automatike e videove (autoplay), lëvizja e pafundme e përmbajtjes (infinite scroll) dhe njoftimet automatike (push notifications).

Megjithatë, debati mbi moshën minimale mbetet i hapur. Parlamenti Europian ka kërkuar më herët ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa disa vende, si Spanja dhe Franca, propozojnë kufij të ndryshëm. Nga ana tjetër, shtete si Estonia kundërshtojnë vendosjen e një ndalimi të tillë.

Komisioni Europian synon të harmonizojë qasjen në të gjitha 27 shtetet anëtare dhe të paraqesë një zgjidhje të përbashkët në nivel të Bashkimit Europian.