Plazhi i famshëm në Greqi do të zgjerohet për të shpëtuar rrënojat ikonike

Autoritetet greke kanë prezantuar një plan për zgjerimin me 30 metra të plazhit ikonik Navagio në ishullin Zakynthos, me qëllim mbrojtjen e anijes së mbytur që e ka bërë këtë destinacion të njohur në mbarë botën.

Projekti parashikon shtimin e rreth 45 mijë metrave kub zhavorr, duke e shtyrë vijën bregdetare drejt detit dhe duke e larguar anijen nga uji. Aktualisht, anija ndodhet rreth 25 metra nga deti, ndërsa pas zgjerimit pritet të jetë më e mbrojtur nga erozioni.

Njoftimi vjen në një kohë kur Navagio Beach do të mbetet i mbyllur gjatë gjithë sezonit veror 2026. Autoritetet greke kanë ndaluar hyrjen e anijeve dhe notarëve deri më 31 tetor për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e shkëmbinjve.

Vendimi u mor pas inspektimeve të kryera nga Organizata Greke për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP), e cila konstatoi se zona paraqet rrezik të lartë për rrëshqitje masive.

Plazhi ishte mbyllur edhe në vitin 2018, pasi shembja e një shkëmbi plagosi shtatë persona. Në vitin 2022, një tërmet me magnitudë 5.4 detyroi autoritetet ta mbyllnin sërish përkohësisht.

Vizitorët mund ta shohin plazhin vetëm nga pika panoramike mbi shkëmbinj, ndërsa zbritja drejt tij është e ndaluar dhe dënohet me gjobë.

Anija e famshme u bllokua në brigjet e Zakynthosit në tetor të vitit 1980, duke i dhënë plazhit emrin “Shipwreck Beach” (Plazhi i Anijes së Mbytur). Me kalimin e viteve, struktura metalike e saj është dëmtuar ndjeshëm nga erozioni dhe ndikimi i detit.

Autoritetet shpresojnë që, pas përfundimit të zgjerimit të plazhit, të nisin edhe punimet për restaurimin e anijes historike.