Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, dhe personave të tjerë të pandehur në këtë procedim.
Vendimi u dha nga gjyqtari Paulin Çera, i cili pranoi kërkesën e prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj.
Prokurori Gokaj në kërkesën për pushim, tha se janë ezauruar të gjitha fazat hetimore dhe nuk është konstatuar kryerja e veprës penale “shkelje e barazisë në tendera” nga ana e Myzyrit dhe ish vartësve të tij.
Më datë 24 qershor të vitit të kaluar, kreu i Prokurimeve Publike u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK.
SPAK kishte dyshime se institucioni i drejtuar prej tij kishte kryer shkelje në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro të kryer në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 59 kilometra.