Marrëdhëniet mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, duket se janë tensionuar edhe më tej, vetëm pak ditë përpara samitit të NATO-s, ku të dy pritet të marrin pjesë.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të forta transatlantike, pasi Trump publikoi një tjetër postim tallës ndaj Melonit.
Muajin e kaluar, Meloni e akuzoi Trumpin se kishte trilluar një histori, pasi presidenti amerikan deklaroi në një intervistë për një televizion italian se ajo i ishte “lutur” për të bërë një fotografi me të gjatë samitit të G7 në Francë.
Në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet këtë javë në Turqi, Trump duket se e rindezi përplasjen duke publikuar në rrjetin e tij social Truth Social një fotografi ku Meloni shihet duke e parë nga poshtë, të shoqëruar me mbishkrimin: “Nevojitet urdhër mbrojtjeje” (“Restraining Order Needed”).
“Nuk kam ndonjë reagim për këtë postim. Gjëja më e rëndësishme është të ruajmë marrëdhëniet me një aleat kyç si Shtetet e Bashkuara,” deklaroi Crosetto për televizionin italian Sky TG24.
“Njerëzit vijnë e ikin, por marrëdhëniet mbeten,” shtoi ai.
Ndërkohë, politikanët e opozitës italiane reaguan më ashpër. Kreu i partisë së vogël Azione, Carlo Calenda, e cilësoi Trumpin si “një ngacmues të neveritshëm dhe vulgar”, duke shprehur mbështetjen e tij për Melonin.
Meloni dikur ishte një mbështetëse e zëshme e Trumpit dhe ishte e vetmja udhëheqëse evropiane që mori pjesë në inaugurimin e tij në vitin 2025.
Megjithatë, marrëdhëniet mes tyre janë ftohur gjatë këtij viti. Meloni e kritikoi Trumpin pasi ai sulmoi Papa Leon për dënimin e konfliktit me Iranin. Kjo solli një reagim të ashpër nga presidenti amerikan, i cili e akuzoi kryeministren italiane se i mungonte guximi.