Korrespondenti i BBC-së për Ballkanin, Guy De Launey, ka ndarë disa detaje nga intervista e tij me kryeministrin Edi Rama, duke veçuar një moment që sipas tij, krijoi tension gjatë bisedës.
Në një postim në rrjetet sociale, gazetari shprehet se reagimi i Ramës ndryshoi dukshëm kur u përball me një pyetje që lidhej me hetimet e SPAK ndaj disa prej bashkëpunëtorëve të tij.
De Launey sqaron se pyetja nuk kishte të bënte me gjendjen shëndetësore të kryeministrit, por me përgjegjësinë politike, në një kohë kur figura të rëndësishme të mazhorancës janë përfshirë në hetime për korrupsion.
Sipas gazetarit, vëmendja ndërkombëtare ndaj protestave në Shqipëri është përqendruar shpesh te elemente dytësore, si debati për flamingot apo investimet e Jared Kushner, ndërsa arsyeja kryesore e pakënaqësisë publike lidhet me akuzat për korrupsion dhe zhvillimet që kanë përfshirë njerëz pranë qeverisë.
Pikërisht mbi këtë bazë, ai i drejtoi Ramës pyetjen nëse, duke qenë se aleatët e tij më të afërt politikë janë nën hetim nga SPAK, ekziston arsye që shqetësimi të shtrihet edhe te vetë kryeministri.
“Sytë e Edi Ramës u zgjeruan dukshëm kur e pyeta nëse duhej të shqetësoheshim për të. Dhe unë nuk po pyesja për shëndetin e kryeministrit shqiptar. Sepse, ndërsa disa tituj do t’ju thonë se protestat e natës në Shqipëri kanë të bëjnë me flamingot dhe Jared Kushner, ka shumë më tepër se kaq. Në fakt, pothuajse gjithçka. Dhe pas gjithë kësaj qëndrojnë akuzat ndaj zotit Rama. Kështu që e pyeta: nëse aleatët tuaj më të afërt politikë janë nën hetim nga prokurorët antikorrupsion, a duhet të shqetësohemi edhe për ju? Mësoni se çfarë tha ai në reportazhin tim për BBC Neës”, shkruan ai.