Denoncimi i gazetarit: Më pushuan vajzën nga puna se shkruajta katër rreshta për Belinda Ballukun

Gazetari Petref Velçani ka denoncuar një rast se si vajza e tij është pushuar nga puna vetëm sepse ai ka shkruajtur disa rreshta analiza politike për ish-zv.kryeministren me masë sigurie nga SPAK, Belinda Ballukun.

Velçani tregon se ai dhe bashkëshortja janë përballur me kancerin, por në pamundësi ekonomike për t’u trajtuar si duhet, pasi marrin nga vetëm 250 mijë lekë të vjetra pension, teksa e vetmja ndihmë e tyre ishte vajza.

Ajo punonte si këshilltare e kryetares së Bashkisë Roskovec, por u hoq nga puna pas shkrimit të tij për Belinda Ballukun.

Sipas tij, për shkarkimin nga puna u përdor një nga mekanizmat që ka nxjerrë qeveria Rama, ku të emëruarve politikë u kërkohet të firmosnin dorëheqjen pa datë, pasi kjo u jep mundësi titullarëve ta përdorin atë firmë edhe pas muajsh apo vitesh, sipas interesit, pa mbajtur asnjë përgjegjësi ligjore.

Postimi i plotë:

Zoti Kryeministër,

Meqë më erdhët në shteg, po bëj publik një fakt që prej nëntë muajsh nuk e kam bërë publik.

Unë dhe ime shoqe jemi përballur me kancerin. Të dy marrim nga 250 mijë lekë të vjetra pension, ndaj e vetmja e ardhur e familjes ishte paga e vajzës sonë.

Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës me mesatare mbi 9 dhe punonte si këshilltare e kryetares së Bashkisë Roskovec. Unë, babai i saj, jam gazetar, siç e dini edhe ju.

Vetëm pse postova katër rreshta analizë për drejtuesen politike të qarkut Fier, Belinda Balluku, vajza ime u pushua nga puna.

Natyrisht, u përdor një nga mekanizmat që keni ngritur ju: të gjithë të emëruarve politikë – dhe vetëm Zoti e di sa “politik” është një këshilltar bashkiak – u kërkohej të firmosnin dorëheqjen pa datë. Kjo u jep mundësi titullarëve ta përdorin atë firmë edhe pas muajsh apo vitesh, sipas interesit, pa mbajtur asnjë përgjegjësi ligjore.

Vajza kishte vetëm një vit pune dhe është i vetmi anëtar i familjes sime që, në 35 vite demokraci, guxoi të punonte në administratën shtetërore.

Po jua sjell këtë rast që të më ndihmoni mua dhe opinionin publik të kuptojmë: kush është më represiv, Rilindja juaj apo fashizmi i Musolinit?

Pas këtij sqarimi, unë dhe ime shoqe do t’i pranojmë me kënaqësi bonuset tuaja për të prekurit nga kanceri.

Faleminderit, nëse do të na mirëkuptoni.