BBC jehonë protestës: “Revolucioni i Flamingove” përshkallëzohet, ndërsa mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Fillimisht protestuan për flamingot. Tani, turma që mblidhet çdo mbrëmje përpara Kryeministrisë në Tiranë ka zgjeruar kërkesat e saj, duke ngritur zërin edhe për arsimin, punësimin dhe nivelin e jetesës. Mesazhi i protestuesve është i qartë: Kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen.

Flamingot rozë shtegtare janë shndërruar në simbolin e protestave, pasi ato jetojnë në Lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur pranë qytetit bregdetar të Vlorës.

Një grup investitorësh ndërkombëtarë, mes të cilëve edhe Jared Kushner, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, synon të ndërtojë një resort luksoz pranë kësaj zone. Për këtë projekt, qeveria shqiptare u ka dhënë investitorëve statusin e “investitorit strategjik”.

Megjithëse ende nuk është dhënë leja e ndërtimit dhe qeveria e Edi Ramës pohon se procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis nuk ka nisur ende, në zonë janë parë rrethime dhe mjete të rënda ndërtimi.

Protestat lokale kundër ndikimit të mundshëm mjedisor u shndërruan në një lëvizje kombëtare rreth një muaj më parë, pasi në rrjetet sociale u përhap një video ku roje sigurie private dhunonin një protestues. Vetë kryeministri e ka pranuar se incidenti ka ndodhur.

Zemërimi qytetar tashmë ka tejkaluar çështjen e Lagunës së Nartës dhe është kthyer në një reagim më të gjerë ndaj mënyrës se si po zhvillohet dhe qeveriset Shqipëria.

“Jam këtu për shkollat tona,” thotë për BBC-në një protestuese e re, Helena.

“Jam këtu për spitalet tona, për infrastrukturën, për familjen time që jeton jashtë Shqipërisë dhe do të donte të ishte këtu. Mbi të gjitha, jam këtu për veten time, sepse dua të jetoj në vendin tim dhe nuk dua të detyrohem ta lë.”

Partia Socialiste dhe Edi Rama ndodhen në pushtet prej 13 vitesh. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha.

Horizonti urban i Tiranës është transformuar nga një numër i madh kullash, shumica të projektuara nga arkitektë të njohur ndërkombëtarë. Paralelisht, turizmi ka njohur një rritje të ndjeshme, duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe duke kontribuar me më shumë se një të pestën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Një tjetër arritje e rëndësishme është përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nga fillimi i negociatave në vitin 2022, Shqipëria synon t’i përfundojë ato deri në fund të vitit të ardhshëm. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Mali i Zi ndodhet më përpara në këtë proces, pasi negocion prej më shumë se një dekade.

Megjithatë, këto zhvillime nuk bindin aktivistin dhe shkrimtarin e njohur Fatos Lubonja, një prej figurave më të spikatura të protestave. Ai kaloi 17 vite në kampet e punës së detyruar gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Sipas Lubonjës, qeveria aktuale mbështetet nga “oligarkët, krimi i organizuar, media dhe faktorë të korruptuar ndërkombëtarë”, ndërsa bumi i ndërtimeve shërben kryesisht për pastrim parash.

“Ne kërkojmë që drejtësia të hetojë,” thotë ai, duke treguar drejt kullave të reja që dominojnë Sheshin Skënderbej.

“Nëse shihni këta rrokaqiej, kupton se kemi të bëjmë me një plan ku bashkëpunojnë krimi i organizuar, oligarkët dhe zyrtarë të shtetit.”

Në një moment qetësie në zyrën e tij, para nisjes së protestave të mbrëmjes, Edi Rama i cilëson protestat si një shenjë të funksionimit të një shoqërie demokratike.

Megjithatë, disa nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt politikë janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përfshirë ish-zëvendëskryeministrin dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

I pyetur nëse shqiptarët duhet të kenë shqetësime edhe për integritetin e vetë kryeministrit, Rama përgjigjet:

“E kam thënë që në ditën e parë: dua një drejtësi që nuk sheh as majtas, as djathtas, por vetëm drejt. Një drejtësi që nuk blihet, nuk shantazhohet dhe nuk kontrollohet nga askush.”

Ai shton se ky është kontributi më i madh që Partia Socialiste do t’i lërë vendit.

“Kontributi ynë nuk do të jetë vetëm përmes reformave, por edhe duke paguar vetë çmimin politik për ndërtimin e një drejtësie të pavarur.”

Ndërkohë, deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka vendosur të largohet nga Partia Socialiste.

Rama e kishte përzgjedhur personalisht si kandidate në zgjedhjet e vitit të kaluar, pasi ajo ishte bërë e njohur si aktiviste për mbrojtjen e mjedisit në qarkun e Shkodrës.

Sot, Koçeku thotë se nuk mund të qëndronte më në një parti ku, sipas saj, pritej vetëm të duartrokiste qeverinë dhe të sillej sikur gjithçka ishte në rregull.

“Ai nuk i frymëzon më njerëzit. Mendoj se kjo e ka çuar në një krizë të thellë legjitimiteti. M’u desh kohë ta kuptoja se pas fasadave të bukura dhe ndërtesave që duken moderne e të shkëlqyera, realiteti është krejt ndryshe. Dhe këtë po e kuptojnë çdo ditë e më shumë edhe qytetarët.”

Për momentin, situata duket e bllokuar. Protestuesit nuk kanë ndërmend të tërhiqen, ndërsa Edi Rama nuk jep asnjë sinjal se do të largohet nga detyra. Kështu, flamingot pritet të mbeten edhe për një kohë simboli më i njohur i protestave në rrugët e Tiranës.