Në fillim të viteve 2000, Skocia konsiderohej një nga vendet më të dhunshme në botën e zhvilluar. Qyteti i Glasgout kishte shkallën më të lartë të vrasjeve në Europë, ndërsa sulmet me thikë, konfliktet mes bandave dhe krimi i organizuar ishin bërë pjesë e përditshmërisë.
Sipas të dhënave të asaj kohe, një person në Skoci kishte mbi tri herë më shumë gjasa të sulmohej sesa një qytetar në Shtetet e Bashkuara.
Përballë kësaj situate alarmante, autoritetet vendosën të ndryshonin rrënjësisht mënyrën se si e trajtonin dhunën. Në vitin 2005 u krijua Njësia Skoceze për Reduktimin e Dhunës (SVRU), e cila nuk e pa më dhunën vetëm si çështje policie dhe drejtësie penale, por si një problem të shëndetit publik.
Filozofia ishte e thjeshtë: ashtu si një sëmundje, edhe dhuna mund të parandalohet nëse identifikohen shkaqet dhe ndërhyhet herët. Një nga iniciativat më të pazakonta ishte organizimi i seancave me anëtarë bandash në gjykatë.
Në vend që të përballeshin vetëm me policinë, të rinjtë dëgjonin histori nga prindër që kishin humbur fëmijët, mjekë që trajtonin viktimat e sulmeve dhe persona që kishin përjetuar dhunën.
Pas takimeve, atyre u ofrohej mbështetje për të braktisur jetën kriminale. Nga qindra pjesëmarrës, shumica pranuan ndihmën dhe nisën një rrugë të re. Puna e SVRU u mbështet në analiza të detajuara të të dhënave.
U zbulua se shumica e vrasjeve nuk ishin të planifikuara, por lindnin nga konflikte spontane, të ushqyera nga varfëria, papunësia, mungesa e arsimit dhe mjediset familjare të paqëndrueshme.
Për këtë arsye, strategjia nuk u kufizua te arrestimet, por u përqendrua në uljen e faktorëve të rrezikut dhe forcimin e faktorëve mbrojtës, si edukimi, marrëdhëniet e shëndetshme familjare dhe përfshirja sociale.
Në këtë përpjekje u përfshinë jo vetëm policia, por edhe shkollat, spitalet, punonjësit socialë dhe organizatat komunitare. Mjekët dhe dentistët u trajnuan të identifikonin shenjat e dhunës dhe t’i orientonin pacientët drejt shërbimeve mbështetëse.
Shkollat u inkurajuan të shmangnin përjashtimin e nxënësve, ndërsa u krijuan programe këshillimi për familjet dhe mbështetje për fëmijët e të rinjtë në rrezik. Rezultatet ishin mbresëlënëse. Brenda një dekade, numri i vrasjeve në Glasgou ra me 56 për qind, ndërsa në të gjithë Skocinë me 38 për qind.
Krimi i dhunshëm u ul ndjeshëm dhe vendi kaloi nga reputacioni i “kryeqytetit evropian të vrasjeve” në një nga shtetet më të sigurta të kontinentit.
Sigurisht ka ende sfida. Varfëria, ndikimi i rrjeteve sociale dhe pasojat e pandemisë vazhdojnë të krijojnë rreziqe të reja, por autoritetet skoceze besojnë se dhuna nuk është e pashmangshme.
Përvoja e Skocisë ka treguar se, kur institucionet bashkëpunojnë dhe investojnë në parandalim, edukim dhe mbështetje sociale, është e mundur të shpëtohen jetë dhe të ndryshohet rrjedha e një shoqërie. Ky model sot po studiohet dhe po zbatohet edhe në vende të tjera, si një shembull i suksesshëm i luftës kundër dhunës.