Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, prezantoi këtë të premte në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor të institucionit për vitin 2025.
Braho theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po zhvillohet në një terren gjithnjë e më kompleks. Ai nënvizoi se korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues.
“Korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues, përshin funksionarë vendorë, të administratës, prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie. Çështje të reja për korrupsionin u rritën me 18%, ndërsa çështjet e përfunduara u rritën me 12%”, u shpreh Braho.
Ai beri me dije se gjate 2025 janë hetuar 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Prej tyre, 18 janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 ish-zyrtarë të lartë janë dënuar me vendime të formës së prerë.
Kreu i SPAK tha po ashtu se prioritet mbetet jo vetëm ndjekja penale e autorëve, por edhe sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal.
“Viti 2025 ka qenë një vit pune intensiv për SPAK-un. Veprimtaria jonë është zhvilluar në kushtet e një volumi të lartë çështjesh penale, shpesh me natyrë komplekse, me lidhje ndërkombëtare dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në interesin publik. Krimi i organizuar ka marrë gjithnjë e më shumë dimension transnacional, ndërsa hetimet për korrupsionin dhe pastrimin e produkteve të veprës penale kërkojnë kapacitete të specializuara, koordinim ndërinstitucional dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, Prokuroria e Posaçme ka vijuar të ushtrojë ndjekjen penale dhe të përfaqësojë akuzën në gjykatë me fokus jo vetëm tek ndjekja e përgjegjësisë individuale penale por edhe tek goditja e përfitimit ekonomik nga veprimtaria kriminale. Për ne, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk matet vetëm me numrin e procedimeve apo të personave të dënuar, por edhe me aftësinë për të identifikuar, sekuestruar dhe konfiskuar pasuritë e krijuara në mënyrë të paligjshme”- tha ai.