Kreu i SPAK, klodian Braho gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve ka folur edhe për imunitetin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku, e pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
Në përgjigje të pyetjes së deputetit të PD, Oerd Bylykbashi, Braho tha se qëndrimi i SPAK për rastin e Ballukut është publik.
Braho tha se imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit, por nuk pengon zhvillimin e hetimeve të plota dhe të pavarura nga ana e organit të akuzës.
“Për çështjen konkrete, qëndrimi i prokurorisë është publik. Sa i takon situatës kushtetuese dhe ligjore, imuniteti ndalon vendosjen e masës së sigurimit, por nuk e ndalon prokurorinë që të zhvillojë hetimet të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase mund ta vështirësojë një hetim të caktuar, edhe mund ta dëmtojë, por ne nuk jemi institucioni që miratojmë ligje. Ne kemi këtë kuadër kushtetues ligjor dhe jemi të detyruar ti bindemi këtij kuadri kushtetues ligjor”, tha Braho.
Sipas kreut të SPAK, një deputet nuk duhet të kishte imunitet fare përballë ligjit.
“Të ishim ne pala që miratonim ndryshimet kushtetuese ligjore personalisht jam i mendimit se nuk duhet të ketë imunitet fare. Por ky është kuadri ligjor dhe kushtetues. Prokuroria do angazhohet me ato mjete ligjore që ka në kompetencë të saj”, tha në fjalën e tij Braho.