Numri i viktimave nga dy tërmetet tragjike që goditën Venezuelën një javë më parë ka arritur në 2.595. Më shumë se 12.000 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa rreth 38.500 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, bëri të ditur presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez.
Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 të shkallës Rihter dëmtuan rëndë afro 800 ndërtesa, prej të cilave 189 u shkatërruan plotësisht, sipas autoriteteve. Ekipet ndërkombëtare të shpëtimit janë angazhuar në kërkimin dhe nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja.
Shpresat për të gjetur të mbijetuar po zbehen, megjithatë qeveria nuk i ka ndërprerë operacionet e kërkim-shpëtimit. Ndërkohë, një burrë i identifikuar si Herman Gil u nxor i gjallë nga rrënojat tetë ditë pas tërmetit.
Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara vlerëson se dëmet e shkaktuara nga tërmetet tejkalojnë 10 miliardë dollarë, ndërsa qeveria venezueliane ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare.