Presidenti amerikan Donald Trump ka raportuar më shumë se 1.4 miliardë dollarë të ardhura nga sipërmarrjet e familjes së tij në sektorin e kriptovalutave gjatë vitit 2025, sipas deklarimit të tij më të fundit financiar.
Dokumentet e dorëzuara pranë Zyrës Amerikane të Etikës në Qeveri tregojnë se kompanitë e Trump kanë përfituar afro 800 milionë dollarë nga World Liberty Financial, platforma e kriptovalutave e themeluar nga ai dhe djemtë e tij.
Sipas deklarimit, mbi 520 milionë dollarë kanë ardhur nga shitja e tokenëve, ndërsa më shumë se 250 milionë dollarë nga shitja e pjesëmarrjeve në biznesin World Liberty Financial. Këto të ardhura ndahen mes presidentit dhe anëtarëve të familjes së tij.
Trump ka deklaruar gjithashtu rreth 635 milionë dollarë të ardhura nga shitja e monedhave dixhitale Trump Meme Coin.
Të dhënat tregojnë se kriptovalutat janë bërë burimi kryesor i pasurisë së presidentit amerikan. Në deklarimin e një viti më parë, ai kishte raportuar vetëm 57.35 milionë dollarë nga shitja e tokenëve të World Liberty Financial, ndërsa këtë vit kjo shifër është rritur pothuajse nëntë herë.
Sipas një vlerësimi të publikuar së fundmi nga Reuters, familja Trump ka përfituar të paktën 2.3 miliardë dollarë nga projektet e lidhura me kriptovalutat që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
Pas marrjes së detyrës, administrata Trump ka ndërmarrë një sërë politikash që industria e kriptovalutave i konsideron të favorshme, duke përfshirë rregullimin federal të stablecoin-eve, si dhe zbutjen e mbikëqyrjes ndaj sektorit nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe Komisioni për Letrat me Vlerë dhe Bursat (SEC).
Për vitin 2025, Trump raportoi gjithashtu mbi 80 milionë dollarë të ardhura nga marrëveshjet gjyqësore me kompani mediatike dhe 52 milionë dollarë nga licencimi i emrit të tij për zhvillues të pasurive të paluajtshme jashtë SHBA-së, kryesisht në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se as presidenti dhe as familja e tij nuk kanë qenë apo nuk do të jenë të përfshirë në konflikte interesi, duke shtuar se Trump e ka bërë SHBA-në “kryeqytetin botëror të kriptovalutave” përmes veprimeve ekzekutive.
Megjithëse kriptovalutat përbëjnë burimin më të madh të të ardhurave të Trump, bizneset e tij tradicionale vazhdojnë të gjenerojnë fitime të konsiderueshme.
Sipas deklarimit financiar, të ardhurat nga fushat e golfit dhe resortet e tij u rritën me 15%, duke kaluar 500 milionë dollarë gjatë vitit 2025. Klubi Mar-a-Lago në Florida, të cilin Trump e quan “Shtëpia e Bardhë e Dimrit”, regjistroi një rritje të të ardhurave nga 50 milionë dollarë në vitin 2024 në 77 milionë dollarë në vitin 2025.
Ndërkohë, të ardhurat nga investimet e tij në pasuri të paluajtshme shënuan rritje më të moderuar. Dokumentet përfshijnë interesa në një sërë ndërtesash komerciale, por nuk japin shifra të sakta për qiratë, vetëm intervale të ardhurash.
Nga ana tjetër, ekspertët e etikës kanë ngritur shqetësime lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit. Ish-drejtuesi i Zyrës Federale të Etikës, Don Fox, deklaroi se megjithëse presidentët përjashtohen nga disa ligje federale për konfliktin e interesit, paraardhësit e Trump kanë respektuar standarde më të larta etike.
“Çdo president pas skandalit Watergate i ka administruar financat sikur të ishte subjekt i rregullave për konfliktin e interesit. Me Trump, këto norma janë lënë plotësisht mënjanë,” tha Fox, duke shtuar se rasti tregon nevojën për reforma të reja ligjore në fushën e etikës.