Eurodeputetja e PE vlerëson protestën në Tiranë: U ndjeva krenare për qytetarët shqiptarë

Eurodeputetja italiane e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Cristina Guarda, ka vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në protestën e 30-të të mbajtur në Tiranë, duke e cilësuar atë si një shembull të angazhimit qytetar në mbrojtje të mjedisit, të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike.

Në një intervistë për News24, Guarda shpjegoi se vizita e saj në Shqipëri kishte për qëllim të njihte nga afër zhvillimet në vend dhe të dëgjonte zërin e qytetarëve, shoqërisë civile dhe aktorëve politikë.

Sipas saj, megjithëse protestat nisën si reagim ndaj çështjeve mjedisore, ato tashmë kanë marrë një dimension më të gjerë, duke reflektuar shqetësime që lidhen me demokracinë, të drejtat qytetare dhe pjesëmarrjen publike.

Eurodeputetja u shpreh se u impresionua nga mënyra paqësore e organizimit të protestës dhe nga pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve të të gjitha moshave.

“Pashë të rinj, të moshuar, familje dhe fëmijë të bashkuar në mënyrë paqësore. Ky është një mesazh shumë i fuqishëm. Është inkurajuese të shohësh njerëz që ngrihen për të mbrojtur natyrën dhe të drejtat e tyre”, tha ajo.

Guarda shtoi se mobilizime të tilla janë një kujtesë edhe për vendet europiane, ku shpesh vlerat demokratike dhe të drejtat e fituara merren si të mirëqena, ndërsa angazhimi i qytetarëve mbetet thelbësor për ruajtjen e tyre.