Bonus vere për pensionistët, 5 mijë lekë për mbi 777 mijë përfitues, shpërndarja nis nesër

Qeveria ka miratuar akordimin e një bonusi vere prej 5 mijë lekësh për pensionistët dhe personat që përfitojnë pension invaliditeti. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë.

Sipas saj, nga ky bonus do të përfitojnë mbi 777 mijë qytetarë, ndërsa fondi i vënë në dispozicion arrin në rreth 3.7 miliardë lekë.

“Vendosëm të akordojmë një bonus për pensionistët, që do të jetë bonusi i verës me vlerë 5 mijë lekë. Janë mbi 777 mijë pensionistë dhe persona me statusin e invaliditetit që do të përfitojnë. Efekti financiar i këtij bonusi është rreth 3.7 miliardë lekë. Do të vazhdojmë të kemi vëmendje të shtuar për të ardhurat e pensionistëve. Ky bonus jepet për herë të parë në mes të vitit dhe do të nisë të shpërndahet nga dita e nesërme. Ai i shtohet bonusit që pensionistët po marrin që nga janari”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja njoftoi edhe një masë në mbështetje të biznesit, pasi qeveria ka vendosur të rrisë masën e garancisë sovrane në kuadër të programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, i cili synon të lehtësojë financimin për bizneset në të gjithë vendin.

Sipas Ibrahimajt, bankat do të aplikojnë një normë mesatare interesi prej 2%, duke synuar të krijojnë kushte më të favorshme për investime dhe zgjerimin e aktivitetit të sipërmarrjeve.