Nis Kuvendi, protestuesit i presin deputetët jashtë: Ju erdhi fundi!

Teksa në Kuvend ka nisur seanca plenare, jashtë tij ka nisur një protestë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por edhe të deputetëve.

Protesta u njoftua mbrëmjen e së hënës nga organizatorët e tubimeve të përnatshme, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në momentin që deputetët e opozitës po hynin brenda, ata thirrën “opozitë e shitur.” Ndërkohë deputetët e majtë mbërritën më herët në Kuvend, për të shmangur protestuesit.

Ndërkohë edhe në orën 19:00 do të jetë protesta e 31-të në Tiranë, me kërkesë kryesore dorëheqjen e Ramës.

Rendi i ditës:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 30.6.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.6.2026.

2. Njoftime.

3. Projektligji “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të rregullimeve për shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë”.

4. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025″.

5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025″.

6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025”.

7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025”.

8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2025”.

9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025”.

10. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025”.

11. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025”

12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.