Avokati Kujtim Cakrani ka folur për herë të parë pasi nuk do të jetë më mbrojtësi i ish-presidentit Ilir Meta në gjyqin e tij në GJKKO.
Duke folur për gazetaren Anila Hoxha, ai u shpreh se pas seancës së fundit ata u ndanë ftohtë dhe në heshtje dhe se nuk kanë pasur më komunikim, ndërsa shton se largimin nga mbrojtja e Metës e kishte menduar edhe vetë ai.
Sakaq shton se peng i ngel fakti që në këtë periudhë që ka kryer mbrojtjen e tij, ka bërë një punë të jashtëzakonshme siç thotë, dhe se kolegu i ri që do marrë mbrojtjen e ish-presidentit do ta gjejë rrugën e shtruar.
“Atë seancë ne u ndamë shumë ftohtë dhe nuk patëm më komunikim. Nuk dua të flas më shumë, unë jam mëse i kristaltë në marrëdhënie me të. Ishte ndarje në heshtje. Meta sot vendosi të marrë avokat tjetër, këtë e kisha menduar dhe unë, ishin në një mendje me zotin Meta.
Nuk e di kush do jetë avokati i ri. Kushdo të jetë ai e ka gjetur shtruar bazamentin sepse ju e dini që unë kam bërë një punë të jashtëzakonshme dhe për këtë më mbetet peng. Ngrita imazhin e dërrmuar të ish presidentit duke marrë parasysh atë që ka ndodhur dhe kjo është ajo që më ka mbetur pak peng”, tha ai.