Filmi biografik “Michael”, me regji të Antoine Fuqua, është bërë biografia me arkëtimet më të larta në historinë e kinemasë, duke grumbulluar 977.4 milionë dollarë në mbarë botën dhe duke lënë pas edhe filmin fitues të Oscarit “Oppenheimer”, i cili arkëtoi 975.8 milionë dollarë.
Më herët gjatë këtij muaji, “Michael” u shpall edhe filmi biografik muzikor më fitimprurës, pasi kaloi suksesin e “Bohemian Rhapsody”. I shfaqur në kinema që prej prillit 2026, filmi rrëfen jetën e Michael Jackson, nga koha kur ishte pjesë e The Jackson 5 deri në shndërrimin e tij në “Mbretin e Pop-it”.
Megjithëse ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në arkëtime, filmi është kritikuar gjerësisht për shmangien e akuzave për abuzim seksual me të mitur që u ngritën ndaj Michael Jackson para vdekjes së tij në vitin 2009. Sipas raportimeve, një version i hershëm i filmit i trajtonte këto akuza, por avokatët e fondacionit që administron trashëgiminë e Jackson kërkuan ndryshime, duke çuar edhe në xhirime shtesë.
Ndërkohë, producentët kanë konfirmuar se një vazhdim i filmit është në përgatitje. Kreu i Lionsgate, Adam Fogelson, bëri të ditur se xhirimet e pjesës së dytë mund të nisin brenda këtij viti ose në vitin 2027, ndërsa nuk është ende e qartë nëse filmi do të trajtojë akuzat që kanë shoqëruar figurën e Michael Jackson.