Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u ka bërë thirrje magjistratëve të rinj që të jenë promotorë të një kulture të re në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se suksesi i reformës nuk varet vetëm nga ndryshimet ligjore, por edhe nga integriteti dhe mënyra e ushtrimit të detyrës.
Gjatë Konferencës “Ndërveprimi i Drejtësisë me Median”, Gonzato u shpreh se brezi i ri i magjistratëve po hyn në sistem në një periudhë kyçe, kur qytetarët kanë pritshmëri më të larta për një drejtësi më efikase dhe më të besueshme.
Sipas tij, ndërtimi i institucioneve të forta nuk mund të mbështetet vetëm te ligjet, por kërkon edhe një ndryshim të mentalitetit dhe kulturës institucionale. Ai vlerësoi se ky proces nuk është përmbyllur ende dhe se përgjegjësia për ta çuar përpara u takon pikërisht profesionistëve të rinj të drejtësisë.
Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu rëndësinë e pavarësisë në vendimmarrje, duke i inkurajuar magjistratët të mos ndikohen nga presionet e jashtme, përfshirë debatet apo reagimet në media dhe rrjetet sociale.
“Një vendim i argumentuar mirë dhe i marrë në mënyrë të pavarur është themeli i besimit te drejtësia. Asnjë reformë nuk mund të ketë sukses pa integritetin e përditshëm të atyre që e zbatojnë atë”, ishte mesazhi i Gonzatos.
Ai rikonfirmoi angazhimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur sistemin shqiptar të drejtësisë, duke e cilësuar investimin te magjistratët e rinj si një element kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e institucioneve në vend.