RREGULLI I RI/ Vangjel Tavo i shpall luftë muzikës, vë në gjumë Himarën që në orën 20:00

Kemi qenë dëshmitarë të shumë vendimeve të pakuptimta nga bashkitë në Shqipëri, por ajo që ka bërë së fundmi Vangjel Tavo në Himarë duket se kalon çdo logjikë. Në kulmin e sezonit turistik, kur qyteti bregdetar pret mijëra vizitorë nga Shqipëria dhe e gjithë bota, Bashkia ka zgjedhur t’i shpallë luftë… muzikës.

Himara gumëzhin nga turistët gjatë muajve të verës, të cilët nuk vijnë vetëm për detin kristal dhe plazhet, por edhe për atmosferën e mbrëmjeve, baret buzë detit, restorantet dhe lokalet. Për shumë vizitorë, nata në Himarë fillon pikërisht kur perëndon dielli.

Por këtë vit, sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak, muzika në lokalet e Himarës duhet të ndalet që në orën 20:00. Një vendim absurd, që bie ndesh edhe me vendimet e qeverisë, të cilat lejojnë muzikën deri në orën 23:00 dhe deri në mesnatë gjatë fundjavave.

Ky vendim është një goditje direkte për ekonominë e Himarës, pasi bizneset kanë investuar miliona lekë për të përgatitur sezonin veror, kanë punësuar staf, kanë paguar taksa dhe presin vetëm disa muaj në vit për të siguruar të ardhurat që mbajnë gjallë aktivitetin e tyre gjatë gjithë vitit. Nëse lokalet detyrohen të fikin muzikën që në orën 20:00, një pjesë e madhe e klientëve thjesht do të largohen ose do të zgjedhin destinacione të tjera.

Pasojat nuk i ndjejnë vetëm pronarët e bareve, por ato prekin kamarierët, banakierët, kuzhinierët, DJ-të, muzikantët dhe çdo biznes që jeton falë turizmit. Një qytet që ndal atmosferën në orën 20:00 nuk mund të pretendojë të konkurrojë me destinacionet e tjera turistike të rajonit.

Respektimi i banorëve është i domosdoshëm dhe rregullat duhet të zbatohen, por një ndalim total i muzikës që në orën 20:00 është një masë ekstreme, e pajustifikuar dhe jashtë realitetit të një qyteti që jeton me turizmin.

Nëse ky vendim mbetet në fuqi, dëmi nuk do të jetë vetëm për lokalet, por do të jetë për imazhin e Himarës si destinacion turistik.

Në vend që të mbështesë bizneset që mbajnë gjallë ekonominë lokale, Bashkia duket se ka zgjedhur t’u vështirësojë punën pikërisht në periudhën kur ato kanë më shumë nevojë për aktivitet.