Monique Mosley është mësuar të punojë në temperatura të larta në fabrikën ushqimore në Yorkshire, ku prodhohen ushqime të gatshme. Por vala rekord e të nxehtit që goditi Europën në qershor i ka bërë kushtet e punës thuajse të papërballueshme.
“Ne prodhojmë ushqime që kërkojnë temperatura të larta dhe shpesh punojmë në ambiente ku termometri shkon mbi 30 gradë Celsius. Falë sindikatës sonë, punëdhënësi na ka dhënë më shumë pushime, por jo çdo vend pune ofron të njëjtën mbështetje”, tha ajo.
Vala e fundit e të nxehtit që ka përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesën më të madhe të Europës Perëndimore ka krijuar vështirësi të mëdha për punëdhënësit dhe punonjësit. Zyrat janë kthyer në ambiente përvëluese, udhëtimet janë ndërprerë, disa shkolla janë mbyllur, ndërsa në sektorin e ndërtimit punëtorët përballen me rrezik të lartë dehidratimi, goditjeje nga të nxehtit dhe aksidentesh.
Ekonomistët po pranojnë gjithnjë e më shumë se periudhat e gjata me temperatura ekstreme po ndikojnë drejtpërdrejt në produktivitet dhe po kërcënojnë ekonomitë europiane, të cilat tashmë përballen me ritme të ngadalta rritjeje. Ata paralajmërojnë se kriza klimatike do të frenojë më tej zhvillimin ekonomik nëse vendet europiane nuk përshtatin ndërtesat dhe infrastrukturën e tyre me realitetin e ri klimatik.
Robert Marks, ekonomist për klimën në Oxford Economics, tha se temperaturat që arrijnë 40 gradë Celsius “ka shumë gjasa të shkaktojnë humbje të konsiderueshme të produktivitetit dhe të pengojnë drejtpërdrejt punën në sektorë si ndërtimi, bujqësia, industria përpunuese, tregtia dhe hoteleria, ku nuk mund të sigurohen gjithmonë kushte të mbrojtura pune”.
Sipas tij, këta sektorë përfaqësojnë 27% të aktivitetit ekonomik në Mbretërinë e Bashkuar dhe mesatarisht 35% në Europën Perëndimore. Një valë të nxehti që zgjat katër ditë mund të ulë rritjen tremujore të produktivitetit të punës me 1.5 pikë përqindjeje në Britani dhe deri në 2 pikë përqindjeje në pjesën tjetër të Europës Perëndimore.
Hulumtimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës tregojnë se deri në vitin 2030 humbjet më të mëdha të orëve të punës në Europën Perëndimore, Veriore dhe Jugore pritet të ndihen në sektorët e bujqësisë dhe ndërtimit.
Edhe studiuesit e grupit të sigurimeve Allianz paralajmërojnë se nxehtësia ekstreme po shndërrohet në një “rrezik strukturor ekonomik” për Europën. Analiza e tyre tregon se Franca, Spanja dhe Italia janë ndër ekonomitë më të ekspozuara ndaj kostove në rritje të stresit termik, pasi humbjet e produktivitetit shtohen ndjeshëm kur temperaturat kalojnë pragun e 30 gradëve Celsius. Në të njëjtën kohë, rriten edhe kostot e energjisë për ftohjen e makinerive dhe ndërtesave.
Sipas këtij studimi, Franca mund të humbasë deri në 240 miliardë dollarë (182 miliardë paund) në prodhim ekonomik gjatë periudhës 2026-2030, Italia rreth 147 miliardë dollarë dhe Spanja 120 miliardë dollarë. Në skenarin më pesimist, humbjet mund të arrijnë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Nuk mund ta konsiderojmë më valën e të nxehtit si një përjashtim. Ajo është drejtimi ku po shkon klima”, tha Katharina Utermöhl, drejtuese e kërkimeve tematike dhe të politikave në Allianz Investment Management dhe bashkautore e studimit.
“Sot, nxehtësia ekstreme ka një kosto për të gjithë: për punëtorët, bizneset dhe taksapaguesit. Dallimi do të bëhet mes vendeve që përshtaten dhe atyre që presin. Duhet të ndalojmë së trajtuari këtë fenomen si një problem veror dhe ta konsiderojmë një sfidë të përhershme të politikave ekonomike.”