Një kolibër, një majmun merimangë, një mace e zezë dhe pilivesa – simbolika e kafshëve në një nga pikturat më ikonike të vitit 1940 zbulon traumën, qëndresën dhe dëshirën sfiduese të artistes meksikane Frida Kahlo.
“Fridamania” vazhdon të jetë më e gjallë se kurrë. Piktorja meksikane Frida Kahlo u shndërrua në një ikonë botërore pas vdekjes së saj në vitin 1954, në moshën 47-vjeçare, dhe edhe sot mbetet një nga figurat më të dallueshme të kulturës moderne. Imazhet e saj – të guximshme, sensuale, të drejtpërdrejta, por njëkohësisht jashtëzakonisht të ndërlikuara – vazhdojnë të frymëzojnë artistë dhe aktivistë, ndërsa portreti i saj shfaqet në një pafundësi produktesh.
Jeta e trazuar e Kahlos – aksidenti shkatërrues që i ndryshoi jetën, aftësia e kufizuar me të cilën jetoi për dekada, martesa e stuhishme me piktorin Diego Rivera dhe marrëdhëniet e saj me burra e gra – pasqyrohet qartë në autoportretet e saj të fuqishme. Përmes tyre, ajo revolucionarizoi këtë zhanër artistik, duke e kthyer autoportretin nga një pozim formal në një shprehje të lirë të identitetit, traumës, bukurisë dhe dëshirës.
Nga 55 autoportretet që realizoi gjatë jetës, shumica përfshijnë edhe kafshë, një pasion që e shoqëroi që në fëmijëri. Pikërisht një prej këtyre veprave, “Autoportret pa titull me gjerdan me gjemba dhe kolibri” (1940), është në qendër të ekspozitës së re “Frida: Krijimi i një Ikone” në Tate Modern.
Në këtë pikturë të jashtëzakonshme fshihet një botë simbolesh që ndihmon të kuptohen plagët, forca dhe pasionet e artistes. Në të njëjtën kohë, ajo dëshmon edhe rolin e veçantë që kafshët e saj të dashura luajtën gjatë gjithë jetës së saj.
Sfondi i mbushur me bimësi tropikale duket sikur rrezaton vapë. Gjethet e gjelbra krijojnë kontrast me ngjyrat e errëta të kafshëve që rrethojnë Kahlon, të gjitha të pikturuara me një realizëm mbresëlënës: sytë depërtues të maces së zezë, shpina e harkuar e saj, shprehja lozonjare e majmunit. Në qendër qëndron vetë Kahlo, me faqet e skuqura, buzët e tendosura dhe pika gjaku që rrjedhin nga gjerdani me gjemba mbi qafën e saj. Megjithatë, fytyra e saj mbetet e qetë dhe stoike përballë vuajtjes.
Kjo vepër u krijua në një nga periudhat më dramatike të jetës së saj. Frida sapo ishte divorcuar nga Diego Rivera – edhe pse do të rimartoheshin pak muaj më vonë – ndërsa po përfundonte edhe lidhja e saj shumëvjeçare me fotografin amerikan Nickolas Muray.