Protestat për largimin e kryeministrit Edi Rama kanë hyrë në ditën e 27-të në Tiranë.
Ashtu si në ditët e kaluara, protestuesit mblidhen në sheshin Skënderbej për të vijuar marshimin e tyre drejt Kryeministrisë.
Më pas, protestuesit prtiet të zhvillojnë një marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhet dhe kërkesat e tyre.
Pjesëmarrja ka qenë masive, ku nuk kanë munguar edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët i janë bashkuar protestave që vijojnë prej 3 javësh.
Protestat e zhvilluara në Tiranë, por edhe qytete të tjera të vendit kanë qenë paqësore, ndërsa kërkesa kryesore mbetet largimi i Ramës.
Më herët gjatë ditës, eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka bërë të ditur se do të udhëtojë drejt Tiranës për t’ju bashkuar protestuesve në shesh.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Guarda e cilëson protestën si një shembull të rëndësishëm për vetë Europën. Sipas saj, protestuesit shqiptarë po kërkojnë më shumë demokraci, transparencë dhe respektim të të drejtave qytetare.