GJKKO dënon me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn për atentatin ndaj Arjan Ndojës, 35 vite burg për Julian Meçajn

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor Plaurent Dervishajn për organizimin e atentatit të 1 nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Për të pandehurin tjetër, Julian Meçaj, trupa gjykuese vendosi dënimin me 35 vite burg.

Vendimi përputhet me pretencën e SPAK, i cili kishte kërkuar dënimin maksimal për Dervishajn, duke e konsideruar atë organizator të sulmit. Sipas akuzës, atentati u realizua në bashkëpunim me Julian Meçajn dhe disa persona të tjerë të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal, ndërsa proceset ndaj tyre vijojnë në një dosje të ndarë.

Dervishaj dhe Meçaj u arrestuan në Dubai dhe u ekstraduan në Shqipëri në muajin gusht të vitit 2024, për t’u përballur me drejtësinë. Prokuroria pretendon se Dervishaj planifikoi sulmin, ndërsa Meçaj ishte një nga autorët që hapi zjarr ndaj automjetit ku udhëtonte ish-prokurori.

Nga atentati humbi jetën shoferi i Ndojës, Andi Maloku, ndërsa mbetën të plagosur Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur me nofkën “Rrumi”.

Hetimet morën kthesë pas zbërthimit të komunikimeve në platformën e koduar SKY/ECC, të cilat, sipas SPAK, ndihmuan në dokumentimin e roleve të personave të përfshirë në ngjarje.

Në dëshminë e tij, Arjan Ndoja ka mohuar të ketë pasur lidhje me Aleksandër Lahon, duke deklaruar se njihte vetëm vëllain e tij dhe se udhëtimi me të në të njëjtën makinë ditën e atentatit ishte rastësor.