Shkon në 64 numri i studentëve të helmuar në Akademinë e Sigurisë

Ka shkuar në 64 numri i studentëve të Akademisë së Sigurisë që dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit të furnizuar me katering nga kompania SORI-AL. Pas 60 rasteve të raportuara fillimisht, katër kursantë të tjerë janë paraqitur në shërbimin e urgjencës me simptoma të ngjashme.

Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë intensifikuar hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar shkakun e saktë të helmimit. Sipas burimeve, procedimi i ri pritet të bashkohet me dosjen e hapur pas incidentit të ngjashëm të regjistruar në fillim të muajit maj.

Hetimet nuk janë përqendruar vetëm te kompania që furnizon ushqimin, por edhe te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Organet hetimore po verifikojnë nëse institucioni ka kryer kontrollet e nevojshme në ambientet e kompanisë pas rifillimit të aktivitetit të saj në Akademinë e Sigurisë gjatë dy muajve të fundit.

Ndërkohë, pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë SORI-AL, Alma Tafani, e cila është nën hetim në gjendje të lirë edhe pas episodit të parë të dyshuar të helmimit.

Grupi hetimor është gjithashtu në pritje të rezultateve laboratorike të analizave të mostrave të ushqimit, të marra nga AKU. Përgjigjet e tyre pritet të hedhin më shumë dritë mbi shkaqet që çuan në shfaqjen e simptomave te 64 studentët.